Prishtinë, 10 qershor 2026 07:38
Sezoni veror sjell mijëra pushues drejt bregdetit, por pothuajse çdo vit shoqërohet edhe me raste tragjike të mbytjeve në det.
Ekspertët vlerësojnë se shumica e këtyre ngjarjeve mund të parandalohen përmes respektimit të rregullave të sigurisë dhe rritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet që paraqet uji.
Vetëm pak ditë më parë, Kosova u trondit nga vdekja e dy të rinjve në plazhin e Shëngjinit. Ngjarja rikthen debatin për sigurinë në plazhe dhe nevojën për kujdes më të madh gjatë pushimeve verore.
Profesori i Edukatës Fizike në Universitetin “Hasan Prishtina”, Ilir Gllareva, thotë se mbytja në ujë është një fenomen kompleks që lidhet me një sërë faktorësh.
“Mbytja në ujë është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve aksidentale në botë dhe ndodh si rezultat i një kombinimi faktorësh njerëzorë, mjedisorë dhe organizativë”, thekson ai për VeritasInfo.
Sipas Gllarevës, mungesa e njohurive të notit mbetet faktori kryesor i rrezikut, por jo i vetmi. Ai shpjegon se paniku, lodhja, rrymat detare dhe kushtet e pafavorshme atmosferike shpesh janë vendimtare në aksidentet ujore.
“Shumë viktima nuk mbyten sepse nuk dinë fare të notojnë, por sepse hyjnë në panik. Paniku shkakton humbje të koordinimit dhe konsumim të shpejtë të energjisë”, thotë profesori.
Mbivlerësimi i aftësive profesionale është gjithashtu një faktor tjerër që shkakton mbytjen. Shumë persona futen në ujëra të thella ose largohen nga bregu pa vlerësuar si duhet kushtet e detit.
Një faktor tjetër shqetësues, sipas profesorit Gllareva, është konsumimi i alkoolit para hyrjes në ujë, pasi ndikon në koordinim, reagim dhe gjykim. Ndërkohë, fëmijët duhet të jenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e prindërve, pasi mbytja mund të ndodhë brenda pak çastesh edhe në ujëra të cekëta.
Gllareva vlerëson se parandalimi i tragjedive kërkon jo vetëm mësimin e notit, por edhe edukim për sigurinë ujore dhe respektim të masave mbrojtëse.
“Mungesa e aftësive të notit kombinohet shpesh me rrymat e ujit, kushtet atmosferike, panikun, mbivlerësimin e aftësive personale dhe mungesën e masave parandaluese”, përfundon ai.
Teksa sezoni veror sapo ka nisur, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes maksimal në plazhe, duke kujtuar se shumë prej mbytjeve mund të shmangen me sjellje të përgjegjshme dhe respektim të rregullave të sigurisë.

Sot i jepet lamtumira e fundit Flora Brovinës
Sot në 12:00 protestë gjithëpopullore
Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Von der Leyen: BE-ja do t’i japë Ukrainës 3,3 miliardë euro për të blerë raketa e dronë