Prishtinë 3 Qershor 2026 15:32
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.
Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi presidentin Costa për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve.
Kryeministri në detyrë theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon. Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.
Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Kjo ishte vizita e dytë e presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.
Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës