Prishtinë, 25 maj 2026 11:44
Në Istog është bërë inaugurimi i renovimit të një ndërtese për banim social, projekt ky i Qeverisë, i financuar 90% nga Bashkimi Evropian dhe 10% nga komuna dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar rëndësinë e investimeve për familjet në nevojë dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian në fushën e efiçiencës së energjisë. Ajo tha se investimi në Istog është realizuar për banesën sociale ku jetojnë 18 familje të cenueshme, prej të cilave gjashtë janë gra kryefamiljare dhe nëna vetushqyese.
Sipas saj, investimi është realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, i cili ka financuar 90 për qind të grantit, ndërsa 10 për qind janë siguruar nga komuna.
“Ky është një investim që po bëhet në kuadër të projekti më të madh prej 6.6 milionë euro që përfshin 28 banesa sociale në 13 komuna të Kosovës, që është projekt i dizajnuar prej Ministrisë së Ekonomisë, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, në kuadër të pakos për përkrahje për krizën energjetike që BE-ja ka dhënë për Kosovën, në vlerë totale prej 75 milionë euro”, tha Rizvanolli.
Ajo bëri të ditur se në kuadër të kësaj pakoje janë mbështetur mbi 45 mijë familje përmes pajisjeve efiçiente, izolimit të shtëpive dhe masave të tjera për kursim të energjisë.
“Një mungesë që ka qenë në programet e mëhershme, ka qenë që nuk kemi pasur një program për izolim të shtëpive individuale të familjeve të cenueshme. Veç javën e kaluar, ne kemi lansuar një program të ri, ku do të izolojmë 280 shtëpi individuale të familjeve në nevojë, që janë përfitues të ndihmës sociale, prej të cilave rreth gjysma nëna vetushqyese dhe gjysma tjetër persona me aftësi të kufizuara”, u shpreh ajo.
Rizvanolli theksoi se qëllimi është që asnjë qytetar dhe asnjë familje në Kosovë të mos mbetet pa mbështetje.
“Në këtë mënyrë po sigurohemi që asnjë qytetar i Kosovës, asnjë familje e Kosovës nuk mbetet prapa, sepse besojmë që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të kenë shtëpitë që u ofrojnë kushte të dinjitetshme, që janë të ngrohta dimrit, e pa myk e të freskëta gjatë verës”, deklaroi ministrja në detyrë.
Ajo falënderoi Bashkimin Evropian si financuesin kryesor të projektit, Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për zbatimin e programit, si dhe Komunën e Istogut për bashkëfinancimin dhe përkushtimin për mirëmbajtjen e investimit.
Përfaqësuesi i BE-së, Hubert Perr, theksoi se Bashkimi Evropian mbetet donatori dhe partneri më i madh i Kosovës.
“Përmes paketës së energjisë, BE-ja ka ofruar gjithsej 75 milionë euro grante për qytetarët e Kosovës, prej të cilave 20 milionë euro janë investuar për të mirën e qytetarëve, specifikisht në masa të efiçiencës së energjisë, duke sjellë përfitime për mbi 45,000 qytetarë. Projekti në Istog përfshin punime në fasadë, ndërrimin e dritareve, vendosjen e dyerve të reja dhe instalimin e njësive të kondicionimit efikase ndaj energjisë”, tha Perr.
Sipas zyrtarit të BE-së, ky investim demonstron një përfitim konkret për pjesën më të cenueshme të popullatës. “Për BE-në është shumë e rëndësishme që ndihma të mos mbetet vetëm në Prishtinë apo në qeverinë qendrore, por të shtrihet nëpër komuna dhe të arrijë te çdo qytetar në çdo cep të Kosovës”, shtoi ai.
Ndërkaq, Njomza Hoxha, drejtoreshë e FKEE-së u shpreh e lumtur për finalizimin e këtij projekti: “Sot është kënaqësi që të bëjmë përurimin e ndërtesës sociale shumëbanesore, ku me investimet për eficiencë të energjisë kanë këto familje. Ky donacion është 90% siç u përmend nga Bashkimi Evropian, i cili është siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 10% me participim nga Komuna e Istogut”, tha ajo.
Ajo e falënderojë komunën për pjesëmarrjen në këtë bashkëfinancim, derisa tha se investimet do të jenë të vazhdueshme, pasi Qeveria e Republikës së Kosovës do të krijojë edhe fonde të tjera, në mënyrë që ky projekt për banesat sociale shumëbanesore të shtrihet edhe në komunat tjera.
“Qytetarëve dhe familjeve të cilat jetojnë këtu ju uroj shëndet dhe t’i gëzojnë benefitet e këtyre investimeve që janë realizuar. Është me rëndësi të ceket që me këto investime është arritur një kursim i energjisë deri në 80%, teksa vlera e këtij projekti është afër 200,000 euro”, tha Hoxha.

Hyn në fuqi ligji i ri për shtetësinë në Kosovë – procedura më të shpejta dhe aplikim online
Rrustem Thaqi zgjidhet kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Albulena Haxhiu takon ambasadorin britanik, diskutojnë për zgjedhjet e parakohshme
Prokuroria e Pejës ngriti 139 aktakuza ndaj 142 personave për ndërtime pa leje
Qendrat e mjekësisë familjare në Kosovë me shërbime të reja për fëmijët dhe familjet
28 vjet nga masakra e Lybeniqit
Përurohet projekti për efiçiencë të energjisë në banesën sociale në Istog