Prishtinë, 25 maj 2026 08:51
Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë pritet të zgjerojnë shërbimet e tyre me profesionistë të rinj të kujdesit shëndetësor dhe social, në kuadër të mbështetjes për fëmijët në fëmijërinë e hershme.
Përmes këtyre shërbimeve synohet të përmirësohet qasja në trajtim dhe intervenim të hershëm për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje profesionale.
Sipas planifikimeve, në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor do të angazhohen psikologë klinikë, fizioterapeutë, logopedë dhe punëtorë socialë. Këto profile pritet të ofrojnë ndihmë të specializuar për fëmijët dhe familjet e tyre, duke e bërë më të lehtë marrjen e shërbimeve brenda institucioneve publike shëndetësore.
Aktivistja për të drejtat e fëmijëve, Leonora Shabani-Bajraktari, e ka vlerësuar këtë hap si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se prindërit deri më tani janë përballur me vështirësi të mëdha financiare për sigurimin e këtyre trajtimeve.
Ajo ka ndarë edhe përvojën personale si prind i një fëmije me nevoja të veçanta, duke thënë se shërbime të tilla kanë munguar prej kohësh në Kosovë.
“Këto shërbime, për secilin prind, kanë nevojë që t’ia ofrojë fëmijës dhe për herë të parë po ofrohen në nivel vendi. Është një ëndërr”, tha Shabani-Bajraktari.
Ndërkohë, drejtori për Shëndetësi në Prishtinë, Bujar Gashi, ka bërë të ditur se tashmë ekziston baza ligjore për funksionalizimin e këtyre shërbimeve, por sfidë mbetet mungesa e stafit profesional.
Sipas tij, komunat do të duhet të hapin konkurse për pranimin e profesionistëve të fushave përkatëse, pasi aktualisht numri i punonjësve është i pamjaftueshëm për zbatimin e plotë të programit.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se Udhëzimi Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor krijon bazën institucionale për mbështetjen e hershme të foshnjave dhe fëmijëve që janë në rrezik për vonesa në zhvillim.
Institucionet shëndetësore vlerësojnë se ky organizim i ri do të ndikojë drejtpërdrejt në identifikimin dhe trajtimin më të hershëm të problemeve zhvillimore tek fëmijët, si dhe në mbështetjen më të madhe për familjet në gjithë vendin.

Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Murati: Kosova ul kufirin e pagesave me para të gatshme për të parandaluar financimet e paligjshme
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe siguri ushqimore
Në Leposaviq gjenden armë e pajisje ushtarake
Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja rrëfen keqtrajtimin gjatë luftës
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici