Prishtinë 22 Maj 2026 11:03
Pas viteve të jetës dhe punës në mërgatë, gjithnjë e më shumë bashkatdhetarë po zgjedhin të investojnë në vendlindje. Njëri prej tyre është edhe Shkëlqim Rrustemaj nga fshati Lybeniq i Pejës, i cili bashkë me bashkëshorten po zhvillon një fermë moderne të lopëve dhe njëkohësisht po sjell gjedhe cilësore nga vendet evropiane për fermerët kosovarë.Shkëlqim Rrustemaj, bashkatdhetar që jeton dhe vepron në Zvicër, që nga viti 2019, së bashku me gruan e tij, ka ndërtuar stallën në fshatin Lybeniq të Pejës dhe ka nisur importimin e lopëve të racës nga vendet evropiane, me qëllim tregtimin e tyre në Kosovë.
Pandemia e koronavirusit ka prekur edhe sektorin e blegtorisë në Evropë, duke zvogëluar numrin e fermerëve që mbarështojnë lopë dhe duke rritur çmimin për kokë të tyre.
Rrustemaj thotë se importimi i gjedheve nga vendet evropiane rrit sigurinë për një investim të suksesshëm te fermerët vendorë. Sipas tij, mospërputhja e prodhimtarisë së gjedheve në vendin tonë, krahasuar me prodhimtarinë në vendet evropiane, ndodh për shkak të mungesës së një qasjeje profesionale nga një pjesë e fermerëve tanë.
Aktualisht, në stallat e tij Rrustemaj ka te mbi 200 krerë lopë të importuara dhe të gjitha po thuajse të shitura.
“Numri i mbarështuesve të lopëve në vendin tonë është duke u rritur, sidomos i bashkatdhetarëve që po kthehen nga gurbeti”, thotë Rrustemaj.
Krahas importimit të gjedheve, ai së bashku me bashkëshorten mbarështojnë lopë për qumësht që nga viti 2016 në Kosovë.
Idenë për këtë veprimtari e kishte që nga fëmijëria, pasi me këtë profesion ishte marrë që në moshë të re. Aktualisht, ata mbarështojnë 115 krerë nga tri raca të ndryshme.
“Fokusimi në këto tri raca është bërë për shkak të përfitimit më të lartë ekonomik”, shprehet ai.
Sipas Rrustemajt, për të mbarështuar gjedhe të shëndetshme dhe me prodhimtari të lartë, është e domosdoshme që ushqimi të jetë cilësor, ambienti i pastër, ajri i freskët dhe ndriçimi në nivelin e duhur.
Lopët në këtë fermë prodhojnë nga 30 deri në 45 litra qumësht që në pjellën e parë.
Shitjen e qumështit e ka të garantuar, megjithatë ai ka ankesa për afatet e pagesave nga përpunuesit e mëdhenj vendorë, të cilët kontraktojnë qumështin nga fermerët.
Sa i përket sëmundjeve, në fermë janë të fokusuar kryesisht në parandalimin e tyre.
Rrustemaj thgotë se për të pasur lopë të shëndeteshme duhet bërë revidimi i thundrave të lopëve. Sipas tij, ky proces është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen nga sëmundjet dhe ruajtjen e nivelit të lartë të prodhimitdher se ky proces kryhet çdo katër muaj.
Rrustemaj thotë se aktualisht nuk kanë problem as me fuqinë punëtore.
Sa u përket subvencioneve, ai i vlerëson si mbështetje të mirë, ndërsa shton se deri më tani nuk kanë përfituar grante.
Duke parë leverdinë që sjell ky sektor, Rrustemaj planifikon që në të ardhmen fondin e gjedheve ta rrisë në 250 krerë.

“ANEMBANË”, projekti që synon të transformojë transportin publik në Kosovë
Universiteti Veror i Prishtinës, urë akademike mes kulturave dhe gjuhëve
Kamberi: Shqipëria i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje Bujanocit dhe Preshevës
Bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik, temat kryesore të takimit Konjufca–Cirielli
Mbi 200 milionë euro përfitim për Kosovën, nis mbyllja e paraburgimit në Gjilan
Të akuzuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit nuk e pranojnë fajësinë
Prokuroria: Sulmi terrorist në Ibër-Lepenc u organizua me mbështetje nga Serbia