Prishtinë, 16 maj 2026 20:58
Në 27-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit dhe intelektualit shqiptar Ukshin Hoti, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën vizitoi Shtëpinë Muze në Krushë e Madhe, duke thënë se ai mbetet një nga mendjet më të ndritura shqiptare dhe një personalitet me vlerë universale në mendimin politik.
Kurti u shoqërua nga djali i Ukshin Hotit njëherësh ministër në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti.
“Një mendje jashtëzakonisht e ndritur e shqiptarëve, dhe jo-vetëm, për shkak se teoritë politike të tij kanë vlerë universale dhe padyshim lexohen e do të studiohen edhe nga popujt e tjerë”, deklaroi Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së kryeministrit.
Kurti u shpreh se me shumë dhimbje e kujtojnë ditën e 16 majit 1999, kur Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës dhe më pas u zhduk pa gjurmë.
“Me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, vetëm dhe vetëm që më pastaj të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të”, ka thënë ai.
Kurti theksoi se trashëgimia intelektuale e Hotit mbetet e gjallë dhe se Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për botimin e veprave të tij.
“Profesor Ukshini na ka lënë veprën e tij, e cila duhet të rilexohet. Nuk mjafton të lexohet, vetëm rileximi është lexim”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, aktualisht po mblidhen materiale dhe dokumente për veprën e Hotit nga qytete dhe institucione të ndryshme, përfshirë Beogradi, Zagrebi dhe Universiteti Harvard, ku Hoti kishte studiuar dhe vepruar.
Kurti tutje u shpreh se vizita në Shtëpinë Muze ngjall emocione të forta dhe krenari për figurën e Ukshin Hotit.
“E, kur vimë këtu te Shtëpia Muze dhe i shohim fotografitë e tij, disa prej tyre për herë të parë, na ngjallin shumë ndjenja të përziera. Në njërën anë, përplot pikëllim sepse sa mirë ta kishim të gjallë e aktiv e aktual. Por, në anën tjetër, edhe krenarë sepse lum që e patëm dhe padyshim që na ndriçon rrugën përpara, porsi rilindësit e tjerë të kombi tonë”, deklaroi ai.
Ukshin Hoti u arrestua në vitin 1994 për aktivitetin e tij politik dhe u dënua me pesë vjet burgim. Më 16 maj 1999, një ditë para përfundimit të dënimit, ai u nxor nga Burgu i Dubravës dhe që nga ajo ditë rezulton i zhdukur.

1,597 fëmijë në shkolla me pak nxënës, ekspertët paralajmërojnë pasoja sociale
Edhe qytetarët e Kosovës që më 7 qershor janë jashtë do të mund të votojnë, njofton KQZ
Haxhiu kujton Ukshin Hotin: E vërteta për të mbetet detyrim ndaj Republikës
KQZ publikon fletvotimin për zgjedhjet e 7 Qershorit
Kos takon gratë me ndikim në Kosovë: Energji pozitive për rrugën evropiane
KQZ miraton fletëvotimin për votim me postë
Arrinë në 11 numri i të lënduarve nga aksidenti në Prilep të Deçanit