Prishtinë, 3 maj 2026 21:47
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraparë mekanizëm të ri kontrolli gjatë numërimit të votave për zgjedhjet e 7 qershorit, me synim parandalimin e manipulimeve që janë evidentuar në procesin e para gjashtë muajve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se është ndryshuar Rregullorja Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, së cilës i është shtuar një dispozitë e re.
KQZ-ja nuk ka ndryshuar edhe rregulloren që përcakton kriteret për angazhimin e komisionerëve. Ajo nuk lejon të angazhohen persona që janë dënuar me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, por nuk ua mohon përfshirjen në proces personave që janë nën hetime.
Në KQZ kanë thënë se çështja e përzgjedhjes së komisionerëve do të trajtohet me kujdes.
E, të mërkurën, ky institucion ka miratuar Rregulloren e re për vëzhguesit e zgjedhjeve, e cila parasheh ndalimin e certifikimit për personat që kanë probleme me ligjin.
“Personat të cilët janë të dënuar ose janë në procedurë hetimore për shkeljet zgjedhore, nuk mund të përfshihen si vëzhgues në listën e vëzhguesve të subjektit politik të certifikuar”, thuhet në nenin 4 të Rregullores për vëzhgues të zgjedhjeve.
Po ashtu, rregullorja e re obligon kryetarët e partive politike, ose personat përgjegjës, që të dorëzojnë në KQZ deklaratë me shkrim, përmes së cilës zotohen se vëzhguesit e tyre do t’u përmbahen ligjeve dhe rregullave zgjedhore.
Komisionerët merren direkt me numërimin e votave, ndërsa vëzhguesit vetëm monitorojnë procesin.
KQZ-ja ka ndryshuar edhe Rregulloren për Regjistrimin dhe Votimin Jashtë Kosovës dhe me normat e reja është përcaktuar që, nëse në një qendër votimi në ambasadë apo konsullatë regjistrohen më pak se 50 votues, aty nuk do të zhvillohet votimi fizik. Në këtë rast, votuesit kalojnë automatikisht në votim përmes postës dhe njoftohen nga institucionet përkatëse.
Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të tretat parlamentare brenda një viti e gjysmë.

908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind