Prishtinë 30 Prill 2026 15::30
Në një hap të ri drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe investimit në të rinjtë, Komuna e Prishtinës dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit në mbështetje të bursave prestigjioze Chevening.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se nga nënshkrimi i këtij memorandumi të rinjtë e Kosovës do të kenë edhe dy bursa shtesë për programin “Chevening” për studime master një vjeçar.
Ai tha se përfituesit e deritanishëm të bursave ”Chevening” kanë luajtur rol kyç në ndërtimin e institucioneve dhe shoqërisë, duke vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të qeverisë britanike.
“Mundësia për të mbështetur edhe dy studentë të tjerë, përveç rreth 150 e më shumë personave që deri tani kanë përfituar nga fondi “Chevening”, është shumë e rëndësishme për njerëzit nga Prishtina dhe Kosova. Këta njerëz janë kthyer dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e qytetit dhe të shtetit. Prandaj, nuk kam asnjë dyshim se përmes këtyre bashkëpunimeve dhe partneriteteve, jo vetëm që do të përfitojnë këta studentë, por do të përfitojnë edhe qytetet dhe shtetet, ndërsa kjo do të krijojë lidhje edhe më të forta mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Falënderoj edhe qeverinë britanike, e cila gjithmonë ka qenë pranë popullit të Kosovës për ta mbështetur atë si dhe fondin “Chevening”, që vazhdon t’i mbështesë njerëzit. Pres me padurim edhe më shumë bashkëpunime mes nesh, mes qyteteve dhe shteteve tona, përmes proceseve si fondi “Chevening”, tha ai.
Ndërsa, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e cilësoi këtë marrëveshje si një zhvillim të rëndësishëm në vazhdën e bashkëpunimit dydekadësh përmes bursave “Chevening”.
“Bursat tona ‘Chevening Scholarships’ kanë vepruar në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit dhe rreth 150 persona kanë përfituar nga studimet master me kohë të plotë, të sponsorizuara nga ‘Chevening’ në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ka sjellë në këtë vend me aftësi dhe njohuri të reja si dhe miqësi të krijuara mes nesh. Jam shumë mirënjohës që Prishtina po kontribuon për dy bursa shtesë, veçanërisht në fushat e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe industrive kreative”, u shpreh ai.
Sipas ambasadorit Hargreaves, përfshirja e Komunës së Prishtinës në financimin e bursave shtesë, veçanërisht në fusha strategjike si inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike, pritet të rritë ndikimin e këtij programi dhe të kontribuojë në zhvillimin profesional të të rinjve kosovarë.
“Besoj se do ta forcojë edhe më tej partneritetin që kemi mes Prishtinës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, sidomos në ato fusha ku ata do të fitojnë më shumë njohuri dhe ekspertizë. Prandaj, jemi shumë mirënjohës ndaj jush, ndaj Komunës dhe qytetarëve të Prishtinës. Gjithashtu duhet të përmend Shoqatën e Alumni-ve të “Chevening”, të përbërë nga persona që kanë kaluar nëpër këtë program dhe që tani kanë mundësuar këtë marrëveshje, në mënyrë që ajo të jetë e hapur për më shumë të rinj në këtë vend”, tha ai.
Memorandumi i nënshkruar synon të zgjerojë mundësitë për studentët nga Kosova për të ndjekur studime pasuniversitare në Mbretërinë e Bashkuar, duke forcuar njëkohësisht lidhjet akademike, profesionale dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.
Bursat “Chevening” u mundësojnë liderëve të rinj të dalluar nga e gjithë bota të ndjekin studime master njëvjeçar në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat janë plotësisht të financuara.

“Dënimet për Banjskën forcojnë shtetin, por nuk eliminojnë rrezikun e ri”
Zvicra dhe Kosova forcojnë partneritetin
Prokuroria në Pejë tryezë kundër dhunës në familje
Avokati i Popullit kërkon drejtësi nga Dhomat e Specializuara
Kurti kërkon më shumë angazhim nga institucionet për të siguruar drejtësi për viktimat e luftës
77 milionë euro për bujqësinë/ Muja: Arkitekturë e re për mbështetjen e fermerëve
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve