Prishtinë 30 Prill 2026. 14:30
Gjatë 27 viteve të fundit, Zvicra dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet të bazuar në besim, vlera të përbashkëta dhe rezultate të prekshme. Gjatë kësaj jave, ky bashkëpunim ka hyrë në një fazë të re, duke u orientuar drejt një partneriteti më strategjik dhe të ndërsjellë mes dy vendeve.
Programi i ri i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2026-2029 pasqyron më së miri këtë transformim, duke vazhduar mbështetjen për zhvillimin e Kosovës, fuqizimin e institucioneve dhe qytetarëve përmes adresimit të sfidave të reja në një kontekst që po ndryshon me shpejtësi.
Një partneritet i ndërtuar mbi rezultate
Programi i ri i lansuar këtë javë ndërtohet mbi një bazë të fortë veçanërisht të krijuar gjatë katër viteve të fundit. Në krejt Kosovën, iniciativat e mbështetura nga Zvicra kanë përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve në mënyrë të dukshme dhe domethënëse.
Qeverisja lokale është forcuar me mbi 700,000 qytetarë që kanë përfituar nga infrastruktura dhe shërbimet më të mira komunale. Zhvillimi ekonomik është mbështetur përmes krijimit të vendeve të punës, ku mbi 10,000 persona kanë siguruar punësim të ri ose më të mirë, përfshirë gra dhe pjesëtarë të komuniteteve jo-shumicë.
Përmes programit të paqes, Zvicra ka mbështetur të drejtat e njeriut, përballjen me të kaluarën dhe procesin e normalizimit me Serbinë, duke nxitur besimin dhe dialogun.
Në të njëjtën kohë, investimet në shëndetësi kanë ndihmuar në orientimin e sistemit drejt parandalimit, duke mbështetur mbi 140,000 persona në menaxhimin e sëmundjeve kronike. Iniciativat në mjedis dhe ujë kanë përmirësuar qëndrueshmërinë dhe menaxhimin e burimeve ujore, ndërsa mbështetja për shoqërinë civile dhe përfshirjen e saj ka zgjeruar mundësitë për grupet e cenueshme. Bashkëpunimi në fushën e migrimit është forcuar, duke përmirësuar sistemet dhe kapacitetet në përputhje me strategjitë kombëtare.
Këto rezultate jo vetëm që kanë forcuar institucionet e Kosovës, por edhe kanë rritur besimin, kanë përmirësuar shërbimet dhe kanë krijuar mundësi të reja në të gjithë vendin.
Me shikimin nga e ardhmja: Një program i harmonizuar strategjikisht për 2026-2029
Ndërsa Kosova vazhdon rrugën e saj të zhvillimit, partneriteti zvicerano-kosovar avancon përmes një programi të harmonizuar ngushtë me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës, duke forcuar prioritetet e përbashkëta dhe objektivat afatgjata.
Programi i ri fokusohet në tre fusha kryesore:
Qeverisja Demokratike dhe Paqja do të mbështesë forcimin e institucioneve, përmirësimin e llogaridhënies dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare. Ai gjithashtu do të vazhdojë të promovojë dialogun, pajtimin dhe proceset gjithëpërfshirëse që kontribuojnë në stabilitetin afatgjatë.
Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm dhe Tranzicioni i Gjelbër synon ndërtimin e një ekonomie më konkurruese dhe gjithëpërfshirëse. Kjo përfshin mbështetjen e bizneseve, nxitjen e inovacionit dhe investimin në zgjidhje të qëndrueshme mjedisore, si zhvillimi urban i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe menaxhimi më i mirë i ujit.
Zhvillimi i Barabartë Njerëzor vendos në qendër qytetarin, duke përmirësuar qasjen në shërbimet shëndetësore, duke forcuar aftësitë dhe mundësitë për punësim, si dhe duke promovuar përfshirjen, veçanërisht për gratë dhe komunitetet në nevojë.
Në të njëjtën kohë, partneriteti i vazhdueshëm në fushën e migrimit ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës do të vazhdojë të forcojë sistemet e menaxhimit të migrimit dhe bashkëpunimin në këtë fushë të rëndësishme.
Ajo që e karakterizon këtë fazë të re nuk është vetëm niveli i investimit prej 70 milionë eurove gjatë katër viteve të ardhshme, por edhe natyra e këtij partneriteti të veçantë.
Zvicra dhe Kosova po avancojnë drejt një partneriteti më të balancuar dhe të vazhdueshëm, një partneritet i harmonizuar me prioritetet shtetërore të Kosovës, i udhëhequr nga institucionet e saj dhe i mbështetur nga Zvicra për të siguruar një ndikimmë afatgjatë.
Ndërsa Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt zhvillimit, Zvicra mbetet një partner i përkushtuar, duke qëndruar pranë institucioneve, komuniteteve dhe qytetarëve në ndërtimin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe më prosperuese.

Prishtina dhe Mbretëria e Bashkuar forcojnë partneritetin: bursa të reja “Chevening” për studentët e Kosovës
“Dënimet për Banjskën forcojnë shtetin, por nuk eliminojnë rrezikun e ri”
Prokuroria në Pejë tryezë kundër dhunës në familje
Avokati i Popullit kërkon drejtësi nga Dhomat e Specializuara
Kurti kërkon më shumë angazhim nga institucionet për të siguruar drejtësi për viktimat e luftës
77 milionë euro për bujqësinë/ Muja: Arkitekturë e re për mbështetjen e fermerëve
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Zvicra dhe Kosova forcojnë partneritetin