Prishtinë, 27 prill 2026 18:39
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ku po diskutohet për zgjedhjen e presidentit.
Kurti tha se Vetëvendosje ka ftuar Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që së bashku të propozojnë tre emra konsensualë për president të vendit.
Ai shtoi se ka shumë figura akademike dhe profesionale në Kosovë që do t’i bënin nder institucionit të presidentit.
“Unë besoj që në Republikën e Kosovës ka shumë profesorë dhe figura që do t’i bënin nder vendit duke u bërë presidentë të Republikës”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, VV-ja ka kërkuar nga LDK dhe PDK që secila të propozojë nga një emër, ndërsa një i tretë të jetë i përbashkët, duke ofruar edhe garanci për votim dhe nënshkrime.
Ai tha se, nëse kjo ofertë do të pranohej, kandidatë aktualë do të tërhiqeshin nga gara, duke përmendur se disa figura kanë shprehur gatishmëri për të mos kandiduar në kushte të tilla.
Kurti theksoi se në këtë mënyrë presidenti i ardhshëm do të ishte rezultat i një marrëveshjeje mes opozitës dhe shumicës, por sipas tij, oferta është refuzuar.
“Sot opozita ka mundur ta kishte presidentin e vet, por kjo ofertë u refuzua”, tha Kurti.
Kurti tha se ata “nuk kanë qenë të interesuar”.
Të shtunën në mëngjes, LVV-ja kërkoi nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, por pa përmendur aty mbështetjen e mundshme në Kuvend.
Në atë propozim, LVV përmendte vetëm nënshkrimet për t’i çuar kandidatët në Kuvend.
“Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhej në propozimin e LVV-së të shtunën.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit