Prishtinë, 26 prill 2026 19:59
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një vizitë në Boston, ku është pritur nga autoritetet më të larta vendore dhe zhvilloi takime me përfaqësues institucionalë dhe komunitetin shqiptar.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj u takua me zëvendësguvernatoren e Massachusetts, Maura Healey, kryetarë bashkish dhe përfaqësues të institucioneve vendore në zonat ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Worcester-it, Joe Petty, i dorëzoi Presidentit Begaj Çelësin e Qytetit.
Presidenti vizitoi gjithashtu Katedralen “Shën Gjergji” në Boston, Bibliotekën e Fan Nolit dhe Kishën Ortodokse Shqiptare “Shën Maria”.
Në Qendrën Komunitare Shqiptare në Beverly, ai u prit nga kryetari i bashkisë së Beverly, Michael P. Cahill dhe qindra shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, në një takim që mori karakterin e një feste të vërtetë të diasporës.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vuri theksin te rëndësia historike e Bostonit për shqiptarët dhe roli i diasporës në formësimin e shtetit shqiptar.
“Bostoni për ne shqiptarët është një vend me kujtesë. Një vend ku historia jonë nuk është vetëm në libra, por në njerëz, në familje, në institucione dhe në komunitetin që ju e keni ndërtuar me punë dhe përkushtim,” u shpreh Presidenti Begaj.
Ai shtoi se në këtë qytet janë hedhur themelet e rëndësishme për çështjen shqiptare dhe orientimin perëndimor të vendit.
“Këtu janë folur ide të hershme për shtetin, kombin dhe orientimin tonë perëndimor. Nga diaspora e hershme, nga koha e Fan Nolit, deri te familjet që kanë ardhur në vitet ’90, ky komunitet ka qenë gjithmonë një zë i fortë në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës,” vlerësoi Presidenti.
Duke folur për rrugëtimin e emigrantëve shqiptarë, Presidenti theksoi sakrificat dhe sukseset e tyre.
“Shumë prej jush e dini nga përvoja personale se çfarë do të thotë të largohesh nga vendi. Por ajo që është më e rëndësishme është se nuk e keni harruar kurrë prej nga vini. Keni ruajtur gjuhën, traditën dhe lidhjen me Shqipërinë dhe Kosovën,” u shpreh Begaj.
Ai nënvizoi se shqiptarët janë pjesë aktive e shoqërisë amerikane dhe një histori suksesi në shumë fusha.
Në përfundim, Begaj theksoi nevojën për një lidhje më të fortë mes shtetit dhe diasporës.
“Ne kemi kaluar shumë si komb dhe kemi një mundësi të re për të ndërtuar të ardhmen. Kjo nuk bëhet vetëm nga brenda vendit, por bashkë me ju. Ju nuk jeni larg Shqipërisë, jeni pjesë e saj,” deklaroi Presidenti.
Në përfundim, Begaj theksoi nevojën për një lidhje më të fortë mes shtetit dhe diasporës.
“Ne kemi kaluar shumë si komb dhe kemi një mundësi të re për të ndërtuar të ardhmen. Kjo nuk bëhet vetëm nga brenda vendit, por bashkë me ju. Ju nuk jeni larg Shqipërisë, jeni pjesë e saj,” deklaroi Presidenti.

Haxhiu shpreh solidaritet me popullin amerikan pas sulmit në Uashington
Inspektimet në ndërtimtari, për dy ditë në 27 raste u ndaluan punimet
Masa të rrepta për testin e maturës, deri 20 mijë euro gjobë për ata që “ndihmojnë” nxënësit të kopjojnë
KEK-u thotë se është stabilizuar sistemi i elektrofiltrave në “Kosova A”
Hetime për ndotjen e ajrit në Obiliq, Prokuroria autorizon Policinë për rastin e KEK-ut
Nis ndërtimi i rrugës Korishë–Kabash, Kurti: Investim mbi 4 milionë euro
Balidemaj: Siguria në Kosovë mbetet e rëndësishme për Gjermaninë
Një fëmijë bie në Liqenin Akumulues në Mitrovicë, nxirret me shenja jete