Prishtinë 20 Prill 2026 17:37
Nga ekspozita “Kronologjia e Lirisë” U.D. Presidentja Haxhiu u bën thirrje qytetarëve të dorëzojnë dëshmi të krimeve të luftës në Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e ekspozitës “Kronologjia e Lirisë”, të fotoreporterit Ridvan Slivova.
Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje për Ridvan Slivovën, si dhe për gazetaret e gazetarët që kontribuuan në dokumentimin dhe shpalosjen e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
“E kuptojmë se rrethanat në të cilat keni vepruar kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe sfiduese. Shumë shpesh, në rrezik ka qenë edhe vetë jeta juaj. Prandaj, më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për gjithçka që keni bërë dhe për faktin se nuk jeni ndalur asnjëherë në shpalosjen e këtyre krimeve”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se sot Kosova ka edhe Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, një institucion i domosdoshëm për dokumentimin, verifikimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike.
“Kemi bërë mirë që, si institucione të Republikës së Kosovës, tashmë e kemi këtë Institut, i cili do të ndihmojë në dokumentimin dhe verifikimin e të gjitha krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit”, u shpreh ajo.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se që nga lashtësia, kur njerëzimi zbuloi se drita mund ta ruajë pamjen e botës në një dhomë të errët, fotografia nisi rrugëtimin e saj drejt kujtesës moderne dhe, me kalimin e kohës, u bë dëshmi e ngjarjeve të mëdha historike të popujve.
Ekspozitë e fotoreporterit Ridvan Slivova – dokumenton krimet e luftës në Gollak
“Në Kosovë, në kohë lufte, njëri mori armën për ta mbrojtur vendin, një tjetër mjekoi të plagosurit, e dikush mori aparatin për ta mbrojtur të vërtetën. Pikërisht këtë keni bërë ju, z. Slivova, sikurse edhe shumë gazetarë të tjerë që janë sot këtu, por edhe ata që nuk janë më në mesin tonë”, tha U.D. Presidentja.
Ajo shtoi se Ridvan Slivova i përket atyre njerëzve që, në ditët më të rënda për Kosovën, e kuptuan se fotografia mund të bëhej dëshmi, kujtesë dhe zë i një populli që po përjetonte dhunë gjenocidale dhe spastrim etnik.
“Sot, fotografia është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Me një telefon në dorë, secili mund të fiksojë një çast. Por në kohë lufte, fotografia merr një peshë tjetër. Ajo ruan dëshmi. Kur fjala ndalet nga frika, kur njerëzit dëbohen, kur shtëpitë digjen dhe kur krimi përpiqet të mos lërë gjurmë, aparati fotografik bëhet sy i historisë. Falë atij syri, sot kemi pamje që flasin për kohën tonë më të rëndë dhe për rrugën tonë më të vështirë”, tha ajo.

Krerët e shtetit bëjnë homazhe pranë Lapidarit të Policëve të rënë
26 Korriku, dita kushtuar policëve që sakrifikuan jetën për Kosovën
Për gjashtë muaj, 46 viktima në 45 aksidente fatale
Lirohet i riu nga Kosova që u ndalua nga policia serbe në Horgosh
Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim
Trump urdhëron ushtrinë amerikane të pezullojë sulmet ndaj Iranit, raportojnë mediat amerikane
Prenga e rrëzoi dy herë Joshuan, por britaniku fitoi me nokaut