Prishtinë, 15 prill 2026 07:18
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë që sakrifica dhe vuajtjet e të mbijetuarve të shpërfillen, duke theksuar se kërkimi i drejtësisë do të vazhdojë pa ndërprerje.
“Dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998–1999”, u shpreh Kurti.
Ai kujtoi se pas më shumë se dy dekadash pandëshkueshmërie, në korrik të vitit 2021 është shënuar një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë me dënimin e parë për këtë kategori krimesh, duke përmendur rastin e Zoran Vukotiq, i dënuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.
Sipas tij, vitet e fundit është shënuar rritje e numrit të gjykimeve dhe dënimeve për krime lufte, të cilat nuk parashkruhen dhe nuk falen, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal kanë mundësuar edhe gjykimet në mungesë. Megjithatë, Kurti tha se numri i dënimeve mbetet ende i ulët krahasuar me përmasat e krimeve të kryera.
Ai theksoi se këto krime kanë lënë pasoja të rënda dhe afatgjata, duke ndikuar jo vetëm tek të mbijetuarit dhe familjet e tyre, por edhe tek brezat e ardhshëm përmes traumave të vazhdueshme.
Kryeministri kritikoi gjithashtu institucionet e Serbisë, duke thënë se ndërsa Kuvendi i Kosovës nderon viktimat e luftës, Kuvendi i Serbisë, sipas tij, së fundmi ka promovuar narrativa që shtrembërojnë të vërtetën dhe glorifikojnë njësi përgjegjëse për krime lufte.
“Ndërsa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, ndërsa Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krime lufte në Kosovë”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe një ekspozitë në Kuvendin e Serbisë për njësitë e Ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, komandantët e së cilave, sipas tij, janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë vitit 1999.

BQK-ja dorëzon aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, synohen pagesa më të lira dhe më të shpejta
Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
Kosova me synime për dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, publikohet lista
Aksident fatal te Stacioni i Autobusëve, humb jetën një këmbësore
Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës