Prishtinë 11 Prill 2026. 8:57
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që për vitin 2026 të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, pavarësisht presioneve të shtuara në sektor, kryesisht si pasojë e rritjes së importeve dhe uljes së prodhimit vendor.
Në raportin konsultativ për të Hyrat Maksimale të Lejuara, ZRRE ka bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm pritet që sistemi energjetik i Kosovës të përballet me mungesë të prodhimit të brendshëm për shkak të remonteve dhe ndërprerjeve të planifikuara në termocentralet vendore. Si rrjedhojë, vendi do të mbështetet më shumë në importin e energjisë elektrike, i cili është më i kushtueshëm dhe i ndikuar nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, për të shmangur që kjo situatë të reflektohet menjëherë në faturat e qytetarëve, ZRRE ka propozuar një mekanizëm të veçantë rregullator – të ashtuquajturin profilizim (shpërndarje) të kostove.
“Për të ruajtur qëndrueshmërinë e sigurisë së furnizimit dhe shmangur rritjen e tarifave të energjisë elektrike për këtë vit tarifor, që rezultojnë si pasojë e mungesës së prodhimit vendor dhe rritjes së importit, ZRRE në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore ka propozuar një mekanizëm profilizimi (shpërndarje) të këtyre kostove për dy vite”- thuhet në raportin e publikuar sot, më 10.04.2026.
Sipas këtij propozimi, rreth 34 milionë euro kosto të blerjes së energjisë nga KEK-u nuk do të përfshihen në tarifat e vitit 2026, por do të shpërndahen në dy vite – 2026 dhe 2027. Ky mekanizëm synon që të zbusë ndikimin e menjëhershëm të rritjes së kostove te konsumatorët.
ZRRE thekson se kjo nuk nënkupton ulje reale të kostove, por vetëm një shtyrje të tyre në kohë.
“Kjo çasje nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por më tepër një shpërndarje të këtyre kostove për një periudhë dyvjeçare” – theksohet në dokument.
Sipas Rregullatorit, nëse ky mekanizëm nuk do të aplikohej, atëherë në vitin 2026 do të kishte një rritje të konsiderueshme të kostove dhe rrjedhimisht edhe të tarifave, e cila më pas do të pasohej nga një rënie e mundshme në vitin 2027. Për këtë arsye, është zgjedhur shpërndarja e kostove për të ruajtur stabilitetin dhe përballueshmërinë për qytetarët.
Në të njëjtën kohë, ZRRE ka propozuar që të Hyrat Maksimale të Lejuara për KESCO të jenë 442.26 milionë euro për vitin 2026, një shumë dukshëm më e ulët krahasuar me aplikimin e vetë kompanisë, e cila kishte kërkuar 528.78 milionë euro. Të Hyrat Maksimale të Lejuara për KESCO për vitin 2025 ishin 435.93 milionë euro.
ZRRE sqaron se këto kosto janë analizuar mbi bazën e parashikimeve të përditësuara për çmimet dhe vëllimet e energjisë, si dhe janë reflektuar ndryshimet në kostot e operatorit të shpërndarjes (KEDS), të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në faturat përfundimtare.
Po ashtu, janë bërë korrigjime edhe në fondin për burimet e ripërtërishme të energjisë (BRE), si dhe në shpenzimet operative, duke aplikuar kriteret rregullatore për arsyeshmërinë e kostove.
“Në këtë kontekst, një faktor shtesë që ndikon në dallimin ndërmjet aplikimit dhe propozimit të ZRRE është edhe aplikimi i mekanizmit të profilizimit. Përmes këtij mekanizmi, një pjesë e kostos së blerjes së energjisë nga KEK Sh.A (rreth 34 milionë euro) nuk është njohur në vitin 2026, por është shtyrë për periudhat e ardhshme tarifore” – thuhet në raport.
ZRRE vlerëson se kjo qasje mundëson që tarifat për vitin 2026 të mbesin më të përballueshme për konsumatorët, ndërsa kostoja reale do të shpërndahet dhe rikuperohet gradualisht në vitet në vijim, në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi.
Në fund, Rregullatori thekson se propozimi aktual nuk është vendim përfundimtar. Ai është pjesë e procesit të konsultimit publik dhe mund të ndryshojë pas shqyrtimit të komenteve nga palët e interesit, para se bordi i ZRRE-së të marrë vendimin final për tarifat e energjisë elektrike për vitin 2026.
ZRRE ka propozuar që për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut -KOSTT, të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2026 të jenë 75.858 milionë euro. Ndërsa, për KEDS-in ka propozuar 184 milionë euro.

Haxhiu shpreh solidaritet me popullin amerikan pas sulmit në Uashington
Inspektimet në ndërtimtari, për dy ditë në 27 raste u ndaluan punimet
Masa të rrepta për testin e maturës, deri 20 mijë euro gjobë për ata që “ndihmojnë” nxënësit të kopjojnë
KEK-u thotë se është stabilizuar sistemi i elektrofiltrave në “Kosova A”
Hetime për ndotjen e ajrit në Obiliq, Prokuroria autorizon Policinë për rastin e KEK-ut
Nis ndërtimi i rrugës Korishë–Kabash, Kurti: Investim mbi 4 milionë euro
Një fëmijë bie në Liqenin Akumulues në Mitrovicë, nxirret me shenja jete
FSK-ja forcon kapacitetet: Oficerët kosovarë diplomojnë me sukses në akademitë e NATO-s
Qeveria mban mbledhje elektronike, miraton ndryshime në Komisionin e Provimit të Jurisprudencës