Prishtinë, 10 prill 2026 21:57
Ish-presidenti Hashim Thaçi në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka shprehur bindjen që gjyqtarët e kanë parë dhe dëgjuar të vërtetën për çështjen e akuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale.
Thaçi dhe tre udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Kransiqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, po presin vendimin pas gjykimit që zgjati rreth 6 vjet.
Në intervistën për gazetën prestigjioze gjermane, me pyetjet që sipas autorit Michael Martens ishin dërguar verën e vitit të shkuar dhe ishin kthyer në fundvit, Thaçi është pyetur nëse gjykimi ndaj tij mund ta ndryshojë perceptimin e historisë për Kosovën.
Ai ka thënë se ky mbetet shqetësim, por ka shtuar se “ngjarjet e të 90-tave janë të dokumentuara mirë” dhe s’bëhet fjalë për “interpretim”.
“‘Provat e fabrikuara gjatë epokës së Millosheviqit nuk duhet të përdoren në gjykatë. Nëse pranohen, nuk do të ishte çudi që pretendime të ngjashme të përdoren edhe në konflikte të tjera. Kosova nuk ka sulmuar kurrë territor serb. Populli i Kosovës luftoi për të drejtën për të ekzistuar. Ky proces nuk duhet të përdoret për të rishkruar historinë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse do të mund të shpallej fajtor a do të nënkuptonte kjo se NATO-ja ka bashkëpunuar me kriminel lufte, Thaçi ka përsëritur se “ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u mbështet në vlerat e lirisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”
“NATO erdhi në ndihmën tonë sepse e kuptoi çfarë po kalonim nën Millosheviqin. Në Rambuje, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën dhe spastrimin etnik. Serbia sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës bëri rezistencë. Pa këtë rezistencë dhe ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë po ashtu se ai ka pritur që gjykimi të jetë mbi bazën e raportit të Dick Martyt për pretendimet për trafikim organesh.
Thaçi ka thënë se ndihet i përmbushur me karrierën e tij politike dhe se garën politike e ka lënë pas vetes, por jo edhe jetën politike.

Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante