Prishtinë, 17 korrik 2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në fund të muajit maj ka marrë informacione nga institucionet e sigurisë për një përshkallëzim të mundshëm të planifikuar nga Serbia. Ajo ka theksuar se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, pasi institucionet e vendit janë në gatishmëri të plotë dhe situata është nën kontroll.
“Në fund të majit kemi marrë informacione për veprimet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën. Këto janë informata të besueshme nga institucionet tona të sigurisë”, deklaroi Osmani në një konferencë për media të mbajtur të enjten pasdite në Prishtinë.
Ajo sqaroi se deklaratat që i kishte dhënë gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për parandalimin e një përshkallëzimi të sigurisë nga ana e Serbisë, janë bërë në bazë të interpretimit të saj të fjalëve të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Fjalët që i kam thënë në SHBA i kam bazuar në atë se si i kam kuptuar deklarimet e presidentit Trump. Ai ka theksuar se ka parandaluar një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk i kam interpretuar ato deklarata, por i kam përcjellë ashtu siç i kam kuptuar”, tha ajo.
Në këtë kontekst, presidentja kritikoi deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se Serbia nuk është e interesuar për përshkallëzim. Sipas saj, këto deklarime janë pjesë e propagandës së zakonshme të Beogradit.
“Të njëjtat fjalë i kanë thënë edhe para agresionit në Banjskë në vitin 2023 dhe para sulmit mbi Ibër-Lepenc. Nuk mund të mashtrohemi nga fjalët e tyre, kur veprimet flasin ndryshe”, theksoi Osmani.
Ajo siguroi qytetarët se nuk ka arsye për panik, duke thënë se të gjitha institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës dhe janë ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.
“Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, por ne nuk do të lejojmë që asnjë plan destabilizues të realizohet. Të gjitha veprimet tona janë të koordinuara dhe të mbështetura në të dhëna konkrete”, u shpreh presidentja.
Sipas saj, informatat për tentativat destabilizuese nga ana e Serbisë janë ndarë me publikun sa herë që kjo ka qenë e mundur, por për shkak të klasifikimit të disa prej tyre, kërkoi mirëkuptim nga qytetarët për mungesën e transparencës në raste të caktuara.
Në ndërkohë, emisari amerikan Richard Grenell e ka akuzuar Osmanin se ka keqinterpretuar fjalët e presidentit Trump, duke thënë se ai nuk ka bërë deklarata të fundit për ndonjë ndërhyrje për të parandaluar përshkallëzimin në rajon.
