PRISHTINË, 17 korrik 2025
Java e Gruas (Week of Women – WoW) në Kosovë është një ngjarje vjetore e përkushtuar për avancimin e lidershipit të grave dhe pjesëmarrjes së tyre në jetën politike dhe publike. Kjo nismë kombëtare, e cila mbahet që nga viti 2012, mbledh gra dhe burra nga sektorë të ndryshëm për të adresuar së bashku çështjet e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave. Java e Gruas ofron një platformë për debat mbi politikat publike, forcimin e kapaciteteve dhe nxitjen e përgjegjësisë së përfaqësuesve të zgjedhur.
Sot, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) hapi solemnisht edicionin e dymbëdhjetë të Javës së Gruas 2025 në hotelin Emerald në Prishtinë, me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si dhe me mirënjohje për Ambasadën e Kanadasë për Kroacinë dhe Kosovën për përkrahjen në realizimin e kësaj ngjarjeje.
Edicioni i këtij viti, me moton “Udhëheqje që transformon”, fokusohet në ndërthurjen e pjesëmarrjes politike, objektivave progresive politike dhe lidershipit të grave. Sipas NDI-së, Java e Gruas 2025 vjen në një moment kyç kur matet niveli i zhvillimit demokratik dhe shqyrtohen ndryshimet sistemike që do t’u mundësonin grave pjesëmarrje të plotë në institucione.
Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë rezidente e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, e hapi solemnisht edicionin e dymbëdhjetë të Javës së Gruas 2025, duke theksuar se kjo nismë vjen në një moment vendimtar për demokracinë në vend. Në fjalën e saj, ajo rikujtoi se NDI, tash e më shumë se 25 vjet, kontribuon në mënyrë aktive në forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë, ndërsa përkushtimi i tyre ndaj barazisë, llogaridhënies dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve – veçanërisht grave – mbetet i palëkundur. Soderberg theksoi sfidat që kanë dalë pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025, sidomos në kontekstin e vonesave në formimin e institucioneve, por nënvizoi se pikërisht periudha të tilla paraqesin mundësi për reflektim, ristrukturim dhe përparim.
Duke folur për rëndësinë e lidershipit të grave, Soderberg theksoi se Java e Gruas nuk është thjesht simbolike, por konkrete dhe e përqendruar në matjen e përparimit të vërtetë. “Kur gratë udhëheqin, institucionet bëhen më efikase, më të drejta dhe më afër nevojave reale të qytetarëve,” u shpreh ajo, duke shtuar se gratë sjellin në politikë frymën e bashkëpunimit, inovacionin dhe një kuptim të thellë të jetës komunitare. Sipas saj, Java e Gruas 2025 përbën një thirrje për veprim ndaj politikanëve, institucioneve dhe shoqërisë që të mbështesin dhe fuqizojnë sinqerisht gratë si aktore kyçe të zhvillimit demokratik në Kosovë.
Në konferencën hyrëse morën pjesë një numër i madh zyrtarësh të lartë, përfshirë Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, drejtoreshën e NDI-së për Kosovën, Nancy Soderberg, si dhe Beate Katja Elsasser, shefe e Zyrës për Bashkëpunim pranë Ambasadës së Zvicrës. Foli gjithashtu edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ndërsa paneli qendror mblodhi deputete me përvojë të pasur politike: Saranda Bogujevci (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Hikmete Bajrami (LDK), Time Kadrijaj (AAK) dhe Emilija Redžepi (NDS). Diskutimi u moderua nga Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Përmes një formati ndëretnik dhe pjesëmarrjes së mbi 120 përfaqësuesve nga partitë politike, shoqëria civile, mediat, biznesi dhe akademia, NDI vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të fuqizojë gratë që të marrin role udhëheqëse në proceset vendimmarrëse.
Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), si organizator, vazhdon përmes kësaj nisme të promovojë lidershipin gjithëpërfshirës si themel i një demokracie të qëndrueshme.



Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
Sekuestrohen armë zjarri në Zubin Potok, arrestohen dy persona
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari