Prishtinë, 30.03.2026 21:36
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndau të hënën mbi 200 dekorata personaliteteve nga sektorë të ndryshëm: gazetari, sport, shëndetësi, arsim, art, kulturë, aktivistë, shërbyes publikë që me punën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe që kontribuuan në shtetndërtim
Në fjalimin e saj, presidentja Vjosa Osmani tha se dekoratat përveçse janë mirënjohje, janë edhe dëshmi e sakrificës dhe guximit të qytetarëve që nuk hoqën dorën nga liria e vendit.
“Atdheu nuk është vetëm vendi ku lindim, por thirrje që na ndjek përgjatë gjithë jetës. Republika e Kosovës është rrjedhë e pandërprerë brezash e atyre që dhanë gjithçka. Në zemër të kësaj përpjekjeje qëndron vetë liria jonë, jo vetëm si e drejtë e fituar, por ndjenjë e thellë permanente. Muaji mars, në të cilën po mbahet ceremonia është një muaj i rëndë në historinë tonë, muaj kujtese e reflektimi që na kthen në ngjarje të tmerrshme, masakra të kryera nga Serbia. Një muaj që dëshmon qëndrueshmërinë, rezistencën për të mos u dorëzuar kurrë. Dekoratat që po ndahen janë përveçse mirënjohje edhe dëshmi e sakrificës dhe guximit që nuk u përkul e dorëzua e nuk hoqi dorë nga liria asnjëherë. Nderimi ynë do të fillojë me heronj të UÇK-së, ata që dhanë sakrificën më të lartë duke dhënë jetën për liri. Nderimi i përhershëm u takon atyre. Liria jonë nuk u krijua vetëm në fushëbetejë, u ndërtua edhe shumë bijë e bija të këtij vendi me dije. Disa nga dekoratat i kushtohen kontributit për liri e pavarësi dhe do t’u jepen atyre qe u gjenden në këtë shtet në kohët vendimtare”, tha Osmani.
Presidentja Osmani përmendi edhe Kombëtaren e Kosovës në futboll, e cila nesër do të luajë me Turqinë në finale të plejofit për Botërorin 2026. Ajo tha se pavarësisht nga rezultati i ndeshjes së nesërme, ekipi do të dekorohet me medalje të martën për kontributin e pamatshëm e shpresën që po i jep popullit.
“Ne duhet t’i vlerësojmë që sot po i japin shpresë qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme ekipi i kombëtares ka bërë historinë, prandaj kam nderin t’u njoftoj që për këtë kontribut të pamatshëm dhe për shpresën që po i japin këtij populli, medalja presidenciale do t’i ndahet nesër edhe ekipit kombëtar pavarësisht ndeshjes së nesërme”, tha Osmani.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës