Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar në Vjenë me çmimin “Dr. Erhard Busek”, në kuadër të konferencës “Kosova në BE”, e organizuar nga Parlamentit Austriak dhe Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë.
Ky vlerësim iu dha Osmanit për lidership të jashtëzakonshëm dhe përkushtim ndaj lirisë, demokracisë dhe integrimit euro-atlantik.
Në fjalën e tij, organizatori Andreas Minnich vlerësoi lartë rolin e presidentes Osmani, duke theksuar se ajo është një ndër zërat më të fuqishëm në Evropë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe një ndërtuese e rëndësishme e urave bashkëpunuese, si në Evropë ashtu edhe përtej Atlantikut.
“Nuk ka grua në Evropë si ajo që lufton kaq shumë për pranimin e Kosovës në BE dhe që thekson atë që na bashkon. Ajo është një ndërtuese urash, që rrallë gjendet si e tillë, dhe ndërton ura jo vetëm brenda Evropës, por edhe përtej Atlantikut”, ka theksuar Minnich.
Nga ana e saj, presidentja Osmani, përmes një video-mesazhi, e cilësoi këtë çmim si një vlerësim të veçantë, duke kujtuar edhe rëndësinë historike të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
“27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë është një dëshmi e asaj që bëhet e mundur kur drejtësia gjen zërin e saj dhe kur bota zgjedh të qëndrojë në anën e duhur të historisë.”
Ajo shprehu mirënjohje për Austrinë si një partner të qëndrueshëm të Kosovës, duke theksuar se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s është e qartë dhe e bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike.
“Kosova nuk është vetëm një histori mbijetese. Është një histori vendosmërie për të ndërtuar një shtet ku dinjiteti, barazia dhe demokracia nuk janë vetëm aspirata, por realitete të jetuara çdo ditë”, ka thënë Osmani.
Në fund, ajo falënderoi institucionet dhe miqtë austriakë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për ndarjen e këtij çmimi.
Çmimi “Dr. Erhard Busek” ndahet nga Shoqata e Miqësisë Austri-Kosovë dhe mban emrin e ish-zëvendëskryeministrit austriak, një mbështetës i madh i Kosovës dhe promovues i paqes dhe bashkëpunimit evropian.

Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europol-it
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve