Prishtinë, 27 mars 2026 19:59
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë dhe takim me drekë pune me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, i cili e mirëpriti në Pallatin Elize në Paris.
Macron e uroi edhe njëherë Kurtin për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj Kosovës.
“Në takim morën pjesë edhe Ministri Francez i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, e Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Në këtë takim është theksuar roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutua për integrimet dhe sigurinë në Evropë. Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
“Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Ndërkohë, Kurti foli edhe për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan.
“Gjithashtu, u bisedua për planet dhe investimet në edukim, si dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, pas atij të suksesshëm të mbajtur në muajin shkurt sivjet në Prishtinë. Në këtë kontekst, Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë janë thirrje për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre ndërmjet Kosovës dhe Francës”, thuhet në komunikatë

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti