Prishtinë 26 Mars 2026 14:51
(Përditësuar, ora 14:35)- I akuzuari Granit Plava deklaroi para Gjykatës Themelore në Prishtinë se ishte marrë vesh me Naim Murselin që ta merrte përgjegjësinë për vrasjen e Liridona Ademajt ndonëse nuk e dinte se kush është viktima, dhe se shuma prej 30 mijë euro që u përmend në Polici ishte për të mos u përmendur shuma të mëdha. Tha se 250 mijë euro iu premtuan për periudhën sa do ta mbante burgun.
Sipas Plavës, dy ditë para ngjarjes kritike janë takuar me Naim Murselin, i cili e kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar të takohen. Tha se fillimisht e takoi Kushtrim Kokallën në kafene, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I akuzuari thotë se atë ditë u takua me Murselin, i cili i kishte thënë të mos flasë me askënd dhe ua kishte dhënë nga 3 mijë e 400 euro.
“M’i ka lanë në tavolinë edhe Kushtrimit i ka thanë diçka për gru t’vet kishte e ka pas te t’vetit edhe më tha mos fol hiç, masi u largu Kushtrimi se m’tha unë po shkoj në Tiranë me kry një punë e nashta vjen personi në fjalë me neve tu fol për viktimën- po emrin s’ma ka thanë kurrë”, tha Plava.
I akuzuari thotë se nga aty kishte vazhduar diku tjetër, ku kishte dalë për të pirë me paratë që i mori nga Plava, ndërkaq Murseli kishte vazhduar për në Tiranë.
Ai thotë se të gjitha takimet që i kishte me Naim Murselin i kishte me iniciativë të këtij të fundit dhe se asnjëherë as në telefon nuk e ka thirrë.
Në këtë seancë, Plava deklaroi se i akuzuari Murseli i kishte thënë që pasi të dalë nga burgu- pas dy vitesh, ngase rasti është i rëndë dhe para kësaj periudhe nuk mund ta nxjerrë, gjatë kësaj periudhe do kujdesej vetë Murseli për familjen e Plavës
“Më ka ofru punën me 1300 euro rrogë, ki me kanë gjithmonë afër meje e Behgjet Pacollit”, deklaroi ai.
Këtyre premtimeve, i akuzuari thotë se u besonte derisa i shikonte edhe fotografitë e Murselit me persona të famshëm, përfshirë këngëtaren Rita Ora.
“Këto 30 mijë euro që kam thanë në Polici, për këtë e kemi pas marrëveshje me Naimin dhe ai e ka përmend këtë shumë në Polici për mos me u përmend shuma të mëdha. Në fakt, kanë pas me u dhanë 250 mijë euro, por jo menjëherë- por gradualisht”, thotë Plava.
Kjo shumë, sipas tij, ishte krahas punës që i ishte premtuar. Tha se shuma në fjalë do të ishte si dhuratë për mbajtjen e dy viteve burg.
“S’ki me i mbajt as dy vjet burg thojke. Ky le që s’më ka këqyr mu po as veten. M’ka marrë n’qaf edhe mu, gruja, fëmija. Kush m’i këqyr ata, se ky thojke kam me t’i këqyr, asnjëherë s’e ka thirrë familjen me ia dhanë asnjë ndihmë”, deklaron Plava.
I akuzuari tha se pasi kuptoi të nesërmen në mëngjes se kush ishte viktima, nuk e dinte se si të vepronte, sepse kishte frikë se do t’i ndodhte diçka familjes.
“Unë kam besu në ata që m’ka thanë Naimi, e tash po e vërej se në këtë punë s’ka të bëjë Behgjet Pacolli hiq, po vetë ky. Nuk e di çka kanë pas mes vete (Naimi dhe Liridona), asnjëherë s’më ka tregu se është gruaja e vet”, u shpreh ai.Plava thotë se për vrasjen kishte marrëveshje me Murselin: Më tha që edhe Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni për këtë rast
(Përditësuar, ora 14:12)- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, në sesionin e pasditës po jep mbrojtjen i akuzuari Plava, i cili tha se vrasja ishte kryer në marrëveshje me Murselin, i cili i kishte premtuar se do ta nxjerrte nga burgu pas dy vitesh nëse e merr përgjegjësinë, me pretendimin se është person që ka pushtet.
Plava tha se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe se sot do ta thotë të vërtetën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Atë deklaratë që e kam dhënë ka qenë nën presion të policisë”, tha Plava, duke shtuar se deklaroi sipas marrëveshjes që kishte me Murselin, dhe i ishte thirrë ambulanca dhe ia kishin dhënë një ineksion.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skender Gojani, i akuzuari Plava tha se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe se ka qenë në dijeni për veprën për të cilën sot po akuzohet.
“Asnjëherë nuk më ka tregu kush është personi (viktima), edhe m’ka thanë veç ki me marrë përgjegjësi ti, kurgjë tjetër. Unë pa u ba dy vjet të nxjerri prej burgu, e di çfarë pushteti kam”, tha Plava.
Sipas tij, Murseli i ka thënë se për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behgjet Pacolli.
“Me fjalë të Naimit qysh m’ka thanë Naimi, m’ka thanë që edhe Behgjet Pacolli për këtë rast ka qenë në dijeni, ti e di çfarë pushteti kemi na, më ka thanë. Nuk ka shansa me nejt në burg ma shumë se dy vjet”, u shpreh Plava.
Ai pretendon se Murseli i ka ofruar punë, pagë 1300 euro, një veturë G-Classs. Tha se kur e ka pyetur se kë do ta vriste, Naimi i kishte thënë se nuk ka nevojë ta dijë vetëm të marrë përgjegjësinë.
Më tutje, Plava thotë se deklaratën në Polici e kishte dhënë ashtu sikurse ishte marrë vesh me Naim Murselin.
Dy të akuzuarit tjerë ai tha se i njeh- Kokallën për shkak se janë nga i njëjti fshat, kurse Murselin e njeh më pak.
I akuzuari thotë se me Naim Murselin është takuar 7-8, dhe se ditën kritike janë takuar pikërisht për këtë marrëveshje.
Sipas tij, të nesërmen e kishte kuptuar që viktima ka qenë gruaja e Naim Murselit.
Më vjen keq për atë ditë çka ka ndodh. Gjithmonë ka thënë se është ja serbe ja boshnjake, veç ti ki me marrë përgjegjësinë”, u shpreh ai.
Paraprakisht, Plava tha se është i gjendjes së dobët ekonomike dhe se ka qenë punëtor krahu. Tha se më parë nuk ka qenë i dënuar apo i ndjekur për ndonjë vepër penale.
Naim Murseli thotë që s’e di si iu shkaktuan Liridonës lëndimet në dorën e majt
(Përditësuar, ora 11:52)- I akuzuari Naim Murseli derisa dha mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të enjten, tha se nuk di për lëndimin që tani e ndjera Liridona Ademaj kishte në dorën e majtë.
“Ju siguroj edhe një herë që në momentin e ngjarjes, unë dhe fëmijët nuk kemi qenë në veturë, e si ka ndodh ai lëndim (lëndimi që Liridona kishte në dorën e majtë), nuk e di unë se nuk e kom pa”, tha Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, i pyetur lidhur me lëndimet që tani e ndjera kishte në dorën e majtë, ndonëse në veturë ishte në anën e djathtë e që pikërisht në atë anë pretendohet se u erdhi Plava, Murseli s’kishte përgjigje për këtë pjesë.
I akuzuari Naim Murseli tha se arma ishte blerë ditën kur ndodhi vrasja- disa orë më herët.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues Alban Ajvazi, Murseli tha se kur kishte ndodhur krisma nuk e kishte kthyer kokën por ka vazhduar të vrapojë, por thotë se nuk i kujtohet saktë nëse e ka kthyer kokën apo jo.
Sipas tij, pasi kishte dëgjuar krismën e armës, në vendin ku ndodhi vrasja kishte ardhë një veturë me vrull, sipas tij, ka parë një person të maskuar.
Më tej, Murseli tha se personin që shkoi i maskuar për siç pretendon ai grabitje, nuk e ka njohur sepse e kishte ndryshuar zërin.
“Ka qenë i gjatë, me rroba të zeza”, deklaroi Murseli.
Po ashtu, i akuzuari Naim Murseli tha se nuk i kujtohet pse kishte dalë jashtë marketit- vendi i parë që thuhet se shkoi pas ngjarjes bashkë me fëmijët. Tha se Valon Llukën e thirri të parin sepse iu kujtua ai numër.
Por, për Kushtrim Kokallën thotë se nuk e di se kush e kishte thirrë. Ndërkaq, për shkuarjen e këtij të fundit në hotelin ku qëndroi atë natë, tha se dhoma ishte rezervuar nga Lluka.
Ai pretendon se në qendrën e ndalimit nuk i është bërë kontrollë mjekësore.
Kur ka shkuar në morg, Murseli pretendon se iu konfiskuan 1 mijë e 350 euro.
“Valoni m’i ka dhanë 2 mijë euro afër morgut, kam ble sanak (arkivol) e sene tjera dhe pjesa që m’u ka sekuestru kanë qenë kusuri prej atyre 2 mijë euro”, thotë ai.
Në këtë seancë, i akuzuari Murseli tha se gjatë takimeve me Plavën, nuk kishte folur asgjë me të për jetën personale, sidomos për anën financiare. Ai shtoi se takimi i parë me të ishte rastësor, kur ishte takuar me Kokallën.
Kurse, takimi i dytë, sipas tij, ishte i planifikuar me Kushtrim Kokallën. E i treti, Murseli thotë se ndodhi pasi Kokalla bisedoi me të dhe i kishte thënë të takohen Murseli e Plava.
Të ngjajshme
Me kaq përfundoi mbrojtjen Murseli, për të vazhduar në sesionin e pasdites me Plavën.
Murseli: Armën ia bleva Granitit se më tha që të nesërmen e shet dyfish, u morëm vesh të m’i kthente paratë
(Përditësuar, ora 11:28)- I akuzuari Naim Murseli në vazhdim të dhënies së mbrojtjes para trupit gjykues, deklaroi se armën me të cilën sipas Prokurorisë, është vrarë tani e ndjera Liridona Ademaj, ia bleu Granit Plavës pasi i kishte thënë se do ta shiste të nesërmen dyfish.
I akuzuari po ashtu pranoi se të akuzuarin Granit Plava e kishte dërguar pranë shtëpisë së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Anëtari i trupit gjykues Gent Beka e pyeti sërish për armën që ia kishte blerë Murseli- Plavës. Për këtë, i akuzuari tha se kur ua kishte treguar shitësi armën, Graniti i kishte thënë se po i pëlqen dhe se të nesërmen do ta shiste dyfish. Tha se aty u morën vesh t’ia paguante.
“U morëm vesh me m’i kthy paratë”, deklaroi Murseli.
Ndërkaq, lidhur me situatën në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja, i akuzuari tha se nuk kishte qenë kërkesë e grabitësit të dilte nga vetura, por ka dalë vetë.
Më tej, i akuzuari u pyet se përse nuk e kishte nisur veturën me vrull për t’iu shmangur grabitësit dhe për të ikur, ndonëse ai ishte nga ana e Liridonës.
“Nuk m’u ka kujtu në atë moment, Liridona tha ‘o kuku hajni- hajant’, kështu diçka, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u ndala”, u përgjigj Murseli.
Takimet me Plavën, Murseli tha se kanë zgjatë në total 4 orë.
“Domethënë, ju keni vendosë të shoqëroni një person që keni kalu rreth 4 orë për në Prishtinë dhe keni vendos spontanisht t’i besoni dhe t’i tregoni se ku jetoni”, e pyeti gjyqtari Beka.
“Po”, u përgjigj Murseli.
Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leondard Ademaj, avokati Leutrim Syla kërkoi që pamjet e tani të ndjerës Liridona Ademajt që u shfaqën në Gjykatë, ku shihet e vrarë vendin e ngjarjes, të mos publikohen në media dhe mos të kenë qasje fëmijët e saj në to. Tha se kjo është kërkesë e familjes.
“Qëllimi ka qenë me i tregu Naimit se stolitë i ka pas”, u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.
Naim Murseli insiston se natën kritike ishin pre e grabitjes, ballafaqohet me pamje të tani të ndjerës në vendngjarje
Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, edhe të enjten po vazhdon me dhënien e mbrojtjes i akuzuari Murseli. I akuzuari sërish tha se në natën kritike kanë qenë pre e grabitjes, derisa pretendon se iu kërkuan vetëm paratë e telefonat.Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Naim Murseli e nisi mbrojtjen më 29 janar 2026 dhe e vazhdoi edhe më 11 shkurt. Të enjten e 26 marsit, pyetjet për këtë të akuzuar po i vazhdon trupi gjykues.
Murseli përsëriti se natën kritike ka qenë pre e gabitjes nën kërcënimin e armës. Tha se atë natë, tani e ndjera kishte me vete kuletën me para.
Por, trupi gjykues e ballafaqoi me foto të gjësendeve që Liridona Ademaj kishte me vete natën kritike, ku shihen dy byzylykë ari dhe një unazë ari. Aty iu paraqitën edhe pamje të viktimës nga vendi i ngjarjes, për çka Murseli tha se nuk mund t’i shikojë ato pamje të të ndjerës.I pyetur se përse gjatë grabitjes së pretenduar tani të ndjerës nuk i janë marrë stolitë, Murseli tha se u janë kërkuar vetëm telefonat dhe paratë.
“S’ka kërku gjë tjetër dhe kur kam ikë nga vetura me fëmijët, unë s’kam ditë a ka marrë diçka se nuk e kam pa ngjarjen”, u shpreh Murseli.
Sipas tij, njëri nga fëmijët ishte i ulur prapa tij, e tjetri prapa tani të ndjerës.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku e ballaqoi të akuzuarin me një foto të veturës, ku ishin fëmijët e ulur, ku kishte qenë pjesa ndarëse në mes fëmijëve, derisa e pyet se a kanë dalë ata nga e njëjta derë e që si ka mundësi lodra nuk ka lëvizë.
“Nuk e di gjyqtare, unë po të tregoj qysh ka ndodhë”, tha ai.Murseli sërish përsëriti se me të akuzuarin Granit Plava kishin blerë armën spontanisht dhe se ia kishte paguar vetë. Tha se ia bleu armën ngase Plava i kishte thënë se do ta shiste dyfish të nesërmen, dhe se ky nuk do të përfitonte asgjë, vetëm se i kishte “ndihmuar” ngase ishte shok i Kushtrim Kokallës dhe bashkëfshatar i tij.
I pyetur nëse e di që me atë revole është vrarë bashkëshortja e tij, Murseli u përgjigj shkurt “Po, e kam kuptu”.
Në restorantin ku ishin natën kritike me tani të ndjerën dhe fëmijët, Naim Murseli tha se kanë qëndruar më shumë se një orë. Tha se në asnjë moment nuk e kishte parë Plavën.
Ndërkaq, i pyetur se përse në natën kritike shkoi në hotel kurse fëmijët i kishte larg vetes, Murseli tha se fillimisht kanë qenë në stacion policor ku kishte qenë edhe baskëshortja e Leonard Ademajt e cila po merrej me fëmijët. Sipas tij, policia i kishte thënë të qëndronte në Prishtinë sepse mund ta thërrisnin sërish për ta marrë në pyetje.
Sipas të akuzuarit, edhe fëmijët kanë qenë dakord që atë natë të shkonin tek dajtë.
Po ashtu, Murseli tha se tani të ndjerën nuk e kishte parë të vrarë në vendin e ngjarjes, ndonëse atë natë kishte shkuar me policë aty, me arsyetimin se ata nuk e kishin lënë të afrohet. Tha se e pa të nesërmen në morg.
Në momentin kur pretendon se kishte ndodhur grabitja, tha se i kishte kërkuar Liridonës që t’ia jepte grabitësit paratë. Tha se në gjuhën suedeze i kishte thënë Liridonës të dilte nga vetura.
Më tej, Murseli deklaroi se Plava kishte qenë në mes të rrugës, e që ka mundur edhe ta shkelte, por që tani e ndjera kishte bërtitur të ndalet.
“Ka qenë moment shoku, vendim i gabun. Po kështu ndodhi, nuk kam ditë si me vepru ndryshe”, tha ai.
Krismën e armës, ai thotë se e dëgjoi diku 20-30 metra larg, ndërkaq shtoi se kur krisi arma, nuk e ktheu kokën pas ngase mendoi se e shtëna ishte në drejtim të tyre.
Në këtë seancë nuk po merr pjesë i dëmtuari- Leonard Ademaj (vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj).Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës. Detajet nga aktakuza i gjeni: KËTU.
