Prishtinë 24 Mars 2026 12:56
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, brenda këtij viti, do të publikojë një udhërrëfyes kombëtar për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, me afate konkrete dhe institucione përgjegjëse, i cili do të jetë i hapur për publikun.
Këtë e bëri të ditur sot Ministri i BPZhR-së, Armend Muja, në Konferencën Ndërkombëtare me temën “Roli i EFSA-s në mbështetjen e vendeve të IPA-s në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”, e organizuar nga MBPZhR dhe AUV në bashkëpunim me Autoritetin Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA).
Gjatë fjalimit të tij, ministri Muja theksoi se brenda dymbëdhjetë muajve do të reformohet sistemi i inspektimeve, duke kaluar nga kontrolle formale në kontrolle të bazuara në rrezik, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe uljen e barrës së panevojshme për bizneset që respektojnë rregullat.
“Deri në vitin 2027, do të ndërtojmë një sistem të plotë të gjurmueshmërisë digjitale, ku çdo produkt mund të ndiqet nga ferma deri në treg, duke rritur transparencën dhe besimin në zinxhirin ushqimor”, tha ministri Muja, thuhet në komunikatën për media.
Ndër të tjera, ai theksoi se siguria ushqimore nuk është vetëm një çështje teknike, por një kontratë mes shtetit dhe qytetarit – një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë.
Duke nënvizuar se bujqësia mbetet një nga sektorët kyç të ekonomisë dhe një burim i rëndësishëm i jetesës për mijëra familje në Kosovë, ministri shtoi se, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 vlera e shtuar bruto në bujqësi ka arritur mbi 811.5 milionë euro, duke dëshmuar potencialin real të këtij sektori për zhvillim dhe rritje. Sipas tij, këto nuk janë vetëm shifra, por mundësi konkrete për zhvillim rural, punësim dhe rritje të eksportit.
Muja potencoi se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit në ndërtimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve.
“Kemi siguruar financimin e plotë të fushatave të vaksinimit kundër tërbimit për vitet e fundit, kemi avancuar sistemet e kontrollit dhe gjurmueshmërisë ushqimore dhe kemi vendosur bazat për një qasje më moderne dhe më të integruar. Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë: jemi ende në një fazë të përgatitjes së moderuar në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se përpara kemi shumë punë dhe një nevojë urgjente për përshpejtim të reformave”, tha ai.
Duke folur për sigurinë ushqimore moderne, ai theksoi se ajo kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, ministri Muja nënvizoi se do të fuqizohet qasja “One Health” dhe do të ndërtohen mekanizma të koordinuar për të adresuar rreziqe si rezistenca ndaj antibiotikëve dhe sëmundjet zoonotike.
Sa i përket standardeve të Bashkimit Evropian, ai tha se ato nuk duhet të shihen si barrë për fermerët, por si një mundësi reale për zhvillim dhe eksport.
“Ato janë një pasaportë që u mundëson produkteve të Kosovës të hyjnë në tregje më të mëdha dhe më konkurruese. Roli i shtetit është që këto standarde t’i bëjë të arritshme përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë, digjitalizimit të shërbimeve dhe zbatimit të drejtë dhe të barabartë të ligjit”, theksoi Muja.
Për arritjen e suksesit në këto reforma, ministri theksoi se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, organizatat ndërkombëtare dhe partnerët zhvillimorë është thelbësor për ngritjen e kapaciteteve dhe përshpejtimin e reformave. Po aq i rëndësishëm, tha se është edhe partneriteti me fermerët dhe bizneset vendore, të cilët janë aktorët kryesorë të këtij transformimi.
Në fund të konferencës, ministri Muja theksoi se siguria ushqimore është siguri kombëtare, shëndet publik dhe zhvillim ekonomik, si dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të EFSA-s, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës.

Sveçla pas dënimit të Gjukanoviqit: Institucionet do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër spiunazhit
Miratohet marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s
Haxhiu paralajmëron për sonte seancën për presidentin
Spiunja serbe Jelena Gjukanoviq dënohet me 6 vjet burgim
Kuvendi miraton marrëveshjen me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
BIA serbe manipuloi raportet e OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviqit
Seancë e jashtëzakonshme për presidentin në ora 20:30, propozohen Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha
Konjufca e Mulhaxha-Kollçaku tërheqin kandidaturat për president
Iranianët i paraqesin SHBA-së një propozim të ri
Kurti: Sot opozita ka mundur ta kishte presidentin e vet