Prishtinë, 21 mars 2026 15:36
Sot, më 21 mars, shënohet Dita Botërore e Sindromës Down. Me këtë rast, gjatë gjithë muajit mars, Shoqata “Down Syndrome Kosova” ka realizuar një sërë aktivitetesh tradicionale të fokusuara në rritjen e ndërgjegjësimit dhe sigurimin e mbështetjes financiare. Përmes këtyre iniciativave, komunitetit i është ofruar mundësia të njihet më nga afër me sfidat, si dhe me sukseset dhe potencialin e personave me sindromën Down.
Në kuadër të fushatës së 21 Marsit, Ditës Botërore të Sindromës Down, që nga fillimi i muajit mars, Shoqata “Down Syndrome Kosova” ka mbajtur një sërë aktivitetesh tradicionale për sensibilizimin dhe mbledhjen e fondeve. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën drejtoresha e organizatës, Sebahate Hajdini. Sipas saj, një nga aktivitetet kryesore të Shoqatës “Down Syndrome Kosova”, këtë vit ka qenë “Një kartolinë për ty”, si dhe aktiviteti “Ditët e dyerve të hapura”.
“Një kartolinë për ty” ua mundëson nxënësve dhe fëmijëve që përmes blerjes së kartolinave të kontribuojnë financiarisht për qëndrueshmërinë e shërbimeve terapeutike dhe sociale që ofron Shoqata “Down Syndrome Kosova”. Gjithashtu, kemi organizuar edhe aktivitetin ‘Ditët e dyerve të hapura’, i cili ka për qëllim të ftojë personalitete të ndryshme dhe përfaqësues të institucioneve që të vizitojnë qendrat tona, të kalojnë kohë me anëtarët dhe të punojnë simbolikisht një kartolinë, duke shprehur përkrahje dhe solidaritet me komunitetin”, tha ajo.
Pjesë e aktivitetit “Ditët e dyerve të hapura” ishte edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se pjesëmarrja në aktivitete të tilla synon promovimin e barazisë dhe mirëqenies për të gjithë fëmijët në Kosovë, duke shprehur mbështetje për këtë organizatë.
“Si kryetare e kuvendit, do të angazhohemi për ta fuqizuar bashkëpunimin dhe për të adresuar të gjitha përgjegjësitë që ka Kuvendi i Republikës së Kosovës në zbatimin e ligjeve. Kjo është shumë e rëndësishme, si dhe çdo mbështetje tjetër që mund t’u ofrojmë këtyre fëmijëve”, pohoi Haxhiu.
Riada Statovci nga Shoqata “Down Syndrome Kosova”, ka theksuar ndërkaq se punësimi i personave me sindromën doun vazhdon të mbetet një sfidë, duke shtuar se organizata, përkundër sfidave, po vazhdon mbështetjen për personat me këtë sindromë, me qëllim lehtësimin e integrimit të tyre në tregun e punës.

Sveçla pas dënimit të Gjukanoviqit: Institucionet do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër spiunazhit
Miratohet marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s
Haxhiu paralajmëron për sonte seancën për presidentin
Spiunja serbe Jelena Gjukanoviq dënohet me 6 vjet burgim
Kuvendi miraton marrëveshjen me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
BIA serbe manipuloi raportet e OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviqit
Feride Rushiti merr vetëm 63 vota, seanca për presidentin vazhdon nesër
Seancë e jashtëzakonshme për presidentin në ora 20:30, propozohen Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha
Konjufca e Mulhaxha-Kollçaku tërheqin kandidaturat për president
Iranianët i paraqesin SHBA-së një propozim të ri