Prishtinë 21 Mars 2026 13:58
Tregu i Kosovës është shumë i ekspozuar ndaj ndryshimeve të çmimeve apo situatave sikurse ajo në Iran, thotë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, prandaj vendosja e marzhës së fitimit për produkte të naftës, sipas saj, i ka parandaluar manipulimit me çmime.
Në podkastin e Radios Evropa e Lirë, ministrja tregoi, gjithashtu, pse ndryshuan çmimet në disa pika të karburanteve edhe pas marrjes së këtij vendimi.
“Ka ndryshim të çmimit sepse marzha është e përcaktuar mbi çmimin e importit dhe nuk është fikse, që të themi çmimi është statik”.
Sipas saj çmimi i naftës dhe derivateve të tjera në pika të karburanteve ndryshon varësisht si është çmimi i importit, por ky ndryshim i çmimit për konsumatorët nuk mund të jetë më i lartë se 12 centë për litër për blerësit me pakicë dhe 2 centë për litër për blerësit me shumicë.
Sa u përket rezervave të produkteve të naftës ajo theksoi se Kosova qëndron në situatën e njëjtë siç ishte para se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli t’i nisin sulmet në Iran dhe nuk ka nevojë për panik nga qytetarët.
Lidhur me mundësinë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, Kusari-Lila tha se situata është e menaxhueshme teksa po punohet në Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan në produktet esenciale.
Ajo thotë se ky ligj është “masa e parë dhe shumë e nevojshme për t’i mbrojtur qytetarët që janë me pagë minimale apo pjesë të skemave sociale”.
Produktet të cilave mund t’iu vendoset çmimi tavan janë: mielli, qumështi, vaji, vezët, ushqimet për fëmijë e tjera.
Megjithatë, ministrja thekson se mbetet për t’u parë se a do të ketë kuvend funksional për ta miratuar këtë ligj.
Nëse Ligji për çmimet tavan mbetet pa u miratuar Kusari-Lila tha se Inspektorati i tregut do të vazhdojë monitorimin e çmimeve nëse ka abuzime nga tregtarët, dhe që Qeveri do të punojë për të përkrahur prodhimin vendor që të mos reflektohet rritja e çmimeve nga jashtë.

Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin