Prishtinë, 21 mars 2026 08:07
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka thënë se janë pranë arritjes së objektivave në Lindjen e Mesme, duke lënë të kuptohet për tërheqje të mundshme të angazhimit ushtarak në rajon, shkruan BBC.
Përmes një postimi në Truth Social të premten, Trump ka shkruar se po shqyrtojnë përfundimin e përpjekjeve ushtarake në lidhje me regjimin e Iranit.
“Po i afrohemi shumë arritjes së objektivave tona, ndërsa po shqyrtojmë përfundimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me regjimin terrorist të Iranit”, shkroi ai.
Por për Ngushticën e Hormuzit, Trump theksoi se ajo duhet të ruhet nga vende të tjera, që edhe e përdorin. Theksoi se SHBA-ja nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në këtë proces.
Megjithatë, ai la të hapur mundësinë e mbështetjes amerikane nëse kërkohet nga vendet e tjera.
“Nëse kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të zhduket”, përfundoi Trump.
Lufta në Iran shpërtheu më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një ofensivë të gjerë ajrore kundër objektivave ushtarake dhe infrastrukturës strategjike iraniane. Ka pasur edhe viktima civile, ku në një shkollë fillore në Iran vdiqën 160 persona, përfshirë nxënës, në ditët e të sulmeve amerikano-izraelite.
Sulmet fillestare amerikano-izraelite përfshinë qindra goditje ndaj bazave raketore, mbrojtjes ajrore dhe strukturave të udhëheqjes, ku ndër të vrarët ishte edhe lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei.
Menjëherë pas kësaj, Irani u kundërpërgjigj me sulme masive me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane dhe aleate në rajon, duke përfshirë shtete të Gjirit si Kuvajti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Konflikti u përshkallëzua shpejt në një përplasje rajonale, me sulme që u shtrinë edhe në hapësira të tjera si Jordania, ndërsa mbrojtjet ajrore interceptuan dhjetëra raketa dhe dronë.
Lufta pati edhe dëme ekonomike, sidomos në sektorin e naftës. Çmimet po rriten dukshëm.

Zbuten tensionet SHBA-Iran, çmimi i naftës bie 6.7 për qind
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi
Miliband: Rusia nuk po e fiton luftën në Ukrainë
Sulm me dron rus në stacionin hekurudhor në Dnipro, 13 të vrarë dhe 10 të plagosur
Shkon në 64 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Spanjë
Tragjedi hekurudhore në Spanjë, 46 të vdekur nga përplasja mes trenave
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante