Prishtinë, 25 shkurt 2026 21:58
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se në përputhje me udhëzimin administrativ në fuqi, përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve do të jenë të liruar nga tarifa prej 3 euro për natë gjatë qëndrimit në këto klinika.
Përjashtim nga kjo tarifë bëhet gjithashtu për përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pa marrë parasysh se në cilat klinika të tjera të QKUK-së trajtohen këta pacientë.
Po ashtu, QKUK ka njoftuar se përcjellësit e pacientëve nën moshën 18 vjeç dhe ata që kujdesen për pacientët me sëmundje kronike gjithashtu janë të përjashtuar nga pagesa e kësaj tarife.
“Sqarojmë se në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, përcjellësit nuk kanë paguar asnjëherë tarifën prej 3 (tre) euro për natë”- thuhet në njoftimin e lëshuar të mërkurën, më 25.02.2026.
Përcjellësit e pacientëve të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po obligohen që të paguajnë nga 3 euro për çdo natë qëndrimi aty.
Në një përgjigje për KALLXO.com, nga QKUK kanë shpjeguar se kjo tarifë zbatohet në të gjitha klinikat përveç asaj të Onkologjisë dhe klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje.
“Sipas këtij udhëzimi, përcjellësit e pacientëve mbi moshën 15 vjeç janë të obliguar të paguajnë një tarifë prej 3 euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së. Ky obligim zbatohet në të gjitha klinikat, me përjashtim të Klinikës së Onkologjisë dhe klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht se pacientët mund të jenë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së. Përjashtim nga pagesa bëjnë gjithashtu përcjellësit e pacientëve nën moshën 15 vjeç”- thuhet në përgjigje.
QKUK deklaron se”qëllimi i kësaj mase është reduktimi i numrit të përcjellësve brenda klinikave, me synim përmirësimin e funksionimit normal të shërbimeve shëndetësore, ruajtjen e rendit, si dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për pacientët dhe stafin mjekësor.
“Vendosja e një pagese për këtë rol krijon barrë shtesë për familjet, prek në mënyrë disproporcionale kategoritë e ndjeshme dhe rrezikon të penalizojë një mekanizëm mbështetës që vet sistemi e konsideron të nevojshëm”- thuhet ndër tjera në reagimin e PRAK.

12.230 të vrarë në luftën e Kosovës, Instituti fton qytetarët të plotësojnë listën e viktimave
Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Zubin-Potok
Ministria e Arsimit ndan mbi 103 mijë euro për abetaret e diasporës
Haxhiu për gërmimet në Kalludër: Zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit të të zhdukurve
Publikohet lista preliminare e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë
Prokuroria Speciale pritet të kërkojë paraburgim për dy të dyshuarit pas zbulimit të varrezës masive në Zubin-Potok
Aksidenti i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, shtatë persona të lënduar
Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe