Prishtinë 25 Shkurt 2026 15,:02
Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se do të kërkojë nga Këshilli Evropian autorizim për të hapur negociatat me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për t’i bashkuar ato me zonën e roamingut të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian ka propozuar formalisht nisjen e negociatave për heqjen e shpenzimeve të roamingut me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij propozimi, negociatat do të zhvilloheshin ndaras me Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Pasi të finalizohen marrëveshjet përkatëse me këto vende, atëherë qytetarët e Kosovës dhe të vendeve tjera të rajonit, kur të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, do të mund të përdorin telefonat e tyre pa shpenzime shtesë sipas sistemit “roam like at home” (roaming sikur në shtëpi).
Në mesin e vendeve të BE-së qëmoti janë hequr shpenzimet për roaming. Po ashtu, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë zvogëluar apo hequr shpenzimet për roaming mes vete. BE-ja tash dëshiron që t’i heqë këto shpenzime edhe mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit të Ballkanit.
Për të nisur negociatat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian duhet të marrë mandatin nga Këshilli.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se kostot e roaming-ut paraqesin problem për qytetarët në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Tarifat e roaming-ut janë problem në gjithë Ballkanin Perëndimor. Për punëtorët që punojnë jashtë vendit dhe familjet që telefonojnë më të dashurit e tyre jashtë vendit. Faturat e papritura kur udhëtoni janë diçka që ne më nuk e pranojmë në BE. Sot propozojmë nisjen e bisedimeve për ta përfshirë në këtë edhe Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kos në X.
Me propozimin për nisjen e bisedimeve, Komisioni Evropian kërkon miratimin e Këshilli i BE-së për hapjen e negociatave me partnerët nga Ballkani Perëndimor. Pasi Këshilli ta miratojë këtë kërkesë, Komisioni Evropian do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin shtet të rajonit.
Pasi marrëveshjet për këtë çështje të përmbyllen me sukses, ato do të hapin rrugën që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e zonës “Roam Like at Home” në BE.
Pas finalizimit të marrëveshjeve dhe harmonizimit të plotë me rregullat e BE-së për roaming-un, qytetarët që udhëtojnë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të realizojnë thirrje, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin shërbime të internetit, pa tarifa shtesë të roaming-ut.
Bashkimi Evropian e ka iniciuar “Roam Like at Home” në qershor të vitit 2017. Ai zbatohet për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e zonës ekonomike evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja u zgjerua edhe për Ukrainën dhe Moldavinë.
Aktualisht, nuk ka konfirmim nga Komisioni Evropian se kur mund të nisë zbatimi i kësaj rregulloreje për vendet e rajonit, pasi sipas zyrtarëve të KE-së gjithçka varet nga negociatat me institucionet përkatëse në rajon.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Ricardo Cardoso, pranoi se bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar.
“Afatet kohore varen nga gatishmëria e secilit prej partnerëve nga Ballkani Perëndimor për të përmbyllur marrëveshje dypalëshe me BE-në dhe për të siguruar harmonizimin e tyre të plotë me legjislacionin përkatës”, tha zëdhënësi i KE-së.
Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut – po ashtu synojnë që një ditë të bëhen anëtare të bllokut. Nga të gjashtë vendet, Kosova është e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka status të vendit kandidat. Prishtina ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022.

Kosova hap objektin e përhershëm të Ambasadës në Londër
Kosovë-SHBA-NATO, nismë e re për forcimin e ndërveprimit ushtarak
Begaj: Shqipëria mbështetje e pakushtëzuar për Kosovën
Qeveria e Kosovës ndan mjete buxhetore për disa projekte
Nxënësit e epokës së AI-së mësojnë me kurrikulën e para një dekade
Shpallen 65 përfituesit e LOT 2 në kuadër të skemës së granteve për zhvillim rural
Monedha false 2-euroshe rikthehen në qarkullim, një bankë raporton 225 raste
Kryeministri i Pakistanit thotë se është arritur pajtim për tekstin përfundimtar të paktit të paqes ShBA – Iran