Mitrovicë e Veriut, 24 shkurt 2026 18:33
Numri i veprave penale në rajonin verior të Kosovës ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, ndërsa autoritetet policore raportojnë edhe konfiskim të një sasie të konsiderueshme armësh dhe municionesh.
Të dhënat u bënë publike gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës nga Policia e Kosovës, në ambientet e Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën Veriore.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 nuk është regjistruar asnjë rast vrasjeje apo grabitjeje në këtë rajon. Numri i përgjithshëm i krimeve ka rënë me 11.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Kreu rajonal i operacioneve, toger Erduan Baliqi, theksoi se rënia është veçanërisht e dukshme në disa kategori penale. Vjedhjet e rënda kanë shënuar ulje prej 26.92 për qind, sulmet 31.91 për qind, kërcënimet 32 për qind, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm 61.90 për qind, ndërsa rastet e zjarrvënies kanë rënë për 84.21 për qind.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka sekuestruar 87 armë zjarri, 4,200 fishekë, 21 granata dore dhe 11 raketahedhës. Shkalla e zbulimit të veprave penale ka arritur në 85.9 për qind, ndërsa numri i aksidenteve në komunikacion është ulur me 11.8 për qind, falë masave parandaluese të ndërmarra nga autoritetet.
Zëvendësdrejtori i policisë rajonale, Veton Elshani, vlerësoi bashkëpunimin me qytetarët dhe institucionet, duke theksuar se rezultatet janë fryt i koordinimit të ngushtë dhe angazhimit profesional të zyrtarëve policorë.
Në përfundim të aktivitetit, u ndanë mirënjohje për oficerët e dalluar dhe përfaqësues të institucioneve bashkëpunuese, në shenjë vlerësimi për kontributin në forcimin e sigurisë në rajon.
Në prezantim morën pjesë edhe zëvendësdrejtorë të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, drejtues të Departamentit të Rendit Publik, si dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore, agjencive të sigurisë dhe organizatave joqeveritare.

Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Ministria e Kulturës ndan afro 200 mijë euro për restaurimin e Përmendores së Minatorëve në Mitrovicë
Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon