Prishtinë, 23 shkurt 2026 20:07
Një aksident tragjik të dielën ka ndodhur në kryqëzimin e semaforëve në Bresje të Fushë-Kosovës, ku një burrë ka mbetur i vdekur. Banorët dhe ekspertët e komunikacionit e konsiderojnë këtë zonë si një pikë të rrezikshme dhe paralajmërojnë nevojën për ndërhyrje urgjente. Sipas ekspertëve, ajo zonë duhet të trajtohet si pikë e zezë e komunikacionit.
Aksidenti me fatalitet te semaforët në Bresje të Fushë-Kosovës, ku si pasojë të dielën një burrë mbeti i vdekur, po konsiderohet shqetësues nga banorët e lagjes dhe ekspertët e komunikacionit.
Safet Zeqiri thotë se vendi ku ndodhi aksidenti njihet prej kohësh si pikë e rrezikshme.
Ai ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që në këtë vend ndodhin aksidente me pasoja fatale.
“Gjithherë ka pasur rrezik këtu, shumë njerëz kanë humbur jetën për shkak të këtyre semaforëve dhe këtij kryqi këtu. Është përgjegjësi shumë e madhe e infrastrukturës, e Ministrisë dhe e Komunës që janë duke e lejuar një gjë të tillë. Gjithmonë kemi vështirësi, sidomos të martave kur vijnë banorët e lagjes. Komuniteti që vjen gjithmonë është i rrezikuar komuniteti ashkali dhe rom në atë pjesën prej semaforëve. Edhe më herët ka pasur aksidente me fatalitet, me mbytje e me pasoja”, ka thënë banori i Bresjes, Zeqiri.
Eksperti i komunikacionit, Selman Kolgeci, ka thënë se aksidenti tragjik nuk është rastësi, por rezultat i një kombinimi faktorësh të njohur për përdoruesit e këtij segmenti rrugor.
Ai ka thënë se duhet ndërmarrë disa hapa që kjo zonë të bëhet më e sigurt.
“Duhet të sigurohet kalimi i këmbësorëve në mënyrë të mbrojtur. Në këtë zonë nevojitet zgjidhje e tipit mbikalim ose nënkalim, që ta largojë konfliktin mes këmbësorit dhe automjetit. Nuk mjafton vetëm sinjalizimi; duhet monitorim i shkelësve dhe rritje e nivelit të kulturës në ngasje në mënyrë që rregullat të mos mbeten vetëm në letër. Segmenti duhet të trajtohet teknikisht si zonë e ndjeshme në komunikacion. Ajo pjesë duhet me urgjencë të marrë vëmendje institucionale, të trajtohet si pikë e zezë dhe të rriten përgjegjësia dhe kultura e ngasjes, sepse kur aksidentet përsëriten në të njëjtin vend, problemi nuk është më rastësi”, ka thënë Kolgeci.
Edhe eksperti tjetër i komunikacionit, Muhamet Krasniqi, thotë se duhen veprime konkrete për uljen e aksidenteve tragjike.
“Jo vetëm ky udhëkryq apo segment rrugor, por i tërë rrjeti rrugor në Kosovë duhet t’iu nënshtrohet auditimit dhe inspektimit të sigurisë rrugore, për me pa se sa janë të sigurta rrugët për ofrimin e shërbimeve për pjesëmarrësit në trafikun rrugor. Ndërsa ky udhëkryq këtu, sigurisht që ka nevojë për një ridizajnim, pasi për shkak të mungesës së sinjalizimit të domosdoshëm vertikal, si dhe atij horizontal, ndikohet drejtpërdrejt në uljen e sigurisë rrugore”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për nivel vendi, në muajin janar të vitit të kaluar ishin regjistruar katër aksidente fatale me gjashtë persona të vdekur, ndërsa në janar të këtij viti dy aksidente me dy viktima.
Sipas të dhënave, këtë muaj ka rritje të aksidenteve me lëndime krahasuar me janarin e vitit të kaluar, pasi janë regjistruar 673 aksidente me 1,270 persona të lënduar, 51 më shumë se në janarin e vitit të kaluar.
Sipas raportit policor, i dyshuari që goditi këmbësorin në Bresje të Fushë-Kosovës, me vendim të prokurorit, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Objekte të reja në tri kazerma, FSK-ja avancon kapacitetet infrastrukturore me investime milionëshe
FSK-së i shtohen 10 oficerë të rinj, Maqedonci: Bashkëpunimi me Shqipërinë po forcohet
Arrestohen katër persona në aksionin e Policisë dhe AKI-së, reagon Sveçla: Askush s’është mbi ligjin
Elshani: Kthimi në punë i policëve të dorëhequr, është i pamundur
FSK ndërhyn në Sverkë të Pejës pas shpërthimit të zjarrit në deponinë e mbeturinave
FSK-ja drejt përmbylljes së transformimit ushtarak në vitin 2028
Të shtëna me armë zjarri në Lipjan, plagoset një person pas një mosmarrëveshjeje
Policia mohon arrestimin e shtetasit turk: U paraqit si ankues, pas intervistimit u lirua
Shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim