Prishtinë, 20 shkurt 2026 10:50
Në periudhën 08–13 shkurt 2026, në kuadër të Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është realizuar me sukses misioni i radhës për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me sëmundje të lindura të zemrës.
Ky mision është zhvilluar me përkrahjen e Muntada Aid-it nga Londra, në bashkëpunim të ngushtë me mjekë specialistë nga Turqia dhe me stafin profesional të Klinikës së Anesteziologjisë, Klinikës së Kardiokirurgjisë, Kardiologjisë Adulte, Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Shërbimit të Transfuzionit dhe Shërbimit të Biokimisë në QKUK, duke dëshmuar rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare në avancimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
Sherbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se gjatë këtij misioni është realizuar skriningu i 92 fëmijëve me anomali kongjenitale të zemrës (AKZ), përfshirë dy ekzaminime prenatale. Nga ky numër, 35 fëmijë janë trajtuar përmes ndërhyrjeve përkatëse kardiologjike dhe kardiokirurgjikale. Në total janë kryer 26 intervenime kardiologjike dhe 9 intervenime kardiokirurgjikale.
Në fushën e kardiologjisë intervenuese janë trajtuar këto patologji: Ductus arteriosus persistens (DAP) – 2 raste; defekti septal ventrikular (VSD) – 7 raste; koarktacioni i aortës (CoAo) – 2 raste; defekti septal atrial, tipi II (ASD II) – 8 raste; stenoza e arteries pulmonare – 3 raste; si dhe janë realizuar 4 kateterizime diagnostikuese.
Në kuadër të Kardiokirurgjisë Pediatrike janë realizuar ndërhyrje komplekse, përfshirë: rekonstruksionin e traktit dalës të ventrikulit të djathtë (RVOT) pas Tetralogjisë së Fallot-it, me implantim të valvulës biologjike të arteries pulmonare – procedurë e realizuar për herë të parë në Kosovë; trajtimin e unazës vaskulare aortike (Aortic ring), po ashtu për herë të parë në vend; trajtimin e atrezisë pulmonare; realizimin e procedurës Glenn (anastomozë kavopulmonare superiore), për herë të parë në Kosovë; korrigjimin e defektit septal atrial, tipi II; trajtimin e ndërprerjes së harkut të aortës (interrupted aortic arch); si dhe korrigjimin e defektit septal ventrikular.
Aktualisht, në klinikë janë duke u trajtuar tre fëmijë pas ndërhyrjeve kardiokirurgjikale, ndërsa të gjithë pacientët e tjerë janë liruar në gjendje të mirë postoperatore, për trajtim të mëtejmë në kushte shtëpie. Të gjithë pacientët kanë realizuar kontrollin pas lëshimit dhe gjendja e tyre paraqitet stabile.

12.230 të vrarë në luftën e Kosovës, Instituti fton qytetarët të plotësojnë listën e viktimave
Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Zubin-Potok
Ministria e Arsimit ndan mbi 103 mijë euro për abetaret e diasporës
Haxhiu për gërmimet në Kalludër: Zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit të të zhdukurve
Publikohet lista preliminare e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë
Prokuroria Speciale pritet të kërkojë paraburgim për dy të dyshuarit pas zbulimit të varrezës masive në Zubin-Potok
Aksidenti i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, shtatë persona të lënduar
Haxhiu kërkon dënimin e retorikës serbe