Prishtinë, 17 shkurt 2026 09:03
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në 18-vjetorin e pavarësisë. Teksa përmend faktin që Kosova njeh përkushtimin e Francës për pavarësinë e Kosovës, theksoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Letra e plotë:
Zonja Presidente,
“Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju përcjell të gjitha urimet e mia, në emër të Francës dhe në emrin tim personal.
Ju e njihni përkushtimin që Franca i kushton pavarësisë së Kosovës dhe perspektivës evropiane të vendit tuaj, si dhe bindjen time se ribashkimi i kontinentit tonë kalon përmes anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Përballë çrregullimit dhe brutalizimit të botës, uniteti i kontinentit tonë duhet të mbetet prioriteti ynë kolektiv.
Në këtë frymë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Marrëveshjet e Brukselit–Ohrit kanë përcaktuar drejtimin. U takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e marra.
Në bazë të vlerave tona të përbashkëta në fusha sa të ndryshme aq edhe themelore, si olimpizmi, frankofonia apo promovimi i të drejtave të grave, shpreh dëshirën që bashkëpunimi ynë të zhvillohet edhe në fusha strukturore për të ardhmen e Kosovës, përmes forcimit të shkëmbimeve tona ekonomike.
Ju lutem pranoni, Zonja Presidente, shprehjen e respektit tim më të lartë.
Emmanuel Macron
Shkëlqesisë së Saj Zonja Vjosa OSMANI-SADRIU
Presidente e Republikës së Kosovës”.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës