Prishtinë 16 shtator 2026 12:45
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale.
Në fokus të takimit ishin, para së gjithash, koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.
Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin.
Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin në rrugën drejt Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit të qartë evropian të Shqipërisë dhe si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të gjithë rajonit.
Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Rama e uroi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike.

Rrënohet hoteli ‘Jezero’, vazhdon aksioni për largimin e objekteve në Ujman
Inspektimet në vendpunishte do të bëhen me dronë, Hoti: Vendimi hyn në fuqi nga 1 shtatori
Sot fillojnë gërmimet te varreza e dyshuar në Kalludër të Zubin Potokut
Ministria e Infrastrukturës investon 1.85 milionë euro për rrugën Arllat – Malishevë
Gjenden mbetje mortore në Rahovec
Gara: Serbia ende fsheh varreza masive, mbi 1,560 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur