Prishtinë, 16 shkurt 2026 09:58
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën sot nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në takim u diskutua për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokëve të tyre që po gjykohen në Hagë. Diskutimi u fokusua gjithashtu tek rëndësia e një mobilizimi dinjitoz në këtë moment vendimtar të procesit.
Eliza Hoxha theksoi se marshimi është shprehje e ndërgjegjes qytetare dhe e unitetit përtej dallimeve politike:
“Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën”, tha ajo.
Ndërsa Ismail Tasholli nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes masive.
“Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare”, u shpreh Tasholli.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar.
“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, tha Haxhiu.
Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe ritheksoi thirrjen që qytetarët të bashkohen nesër në marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës