Prishtinë, 13 shkurt 2026 07:12
Në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Dushko Arsiq, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë administruar provat materiale dhe është dhënë fjala përfundimtare.
Fillimisht, lidhur me provat materiale, prokurori special Atdhe Dema deklaroi se edhe në shqyrtimin e parë gjyqësor është bërë prezantimi i provave, andaj edhe në këtë rigjykim qëndron pranë tyre duke qenë se gjendja faktike në natyrën e saj nuk ka ndryshuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklarimin e prokurorit Dema e mbështeti edhe i dëmtuari Artan Krasniqi dhe mbrojtësi i tij, avokati Arsim Krasniqi.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuari Arsiq, avokati Nebojsha Vllajiq deklaroi se nuk ka propozime për prova të reja dhe qëndron pranë atyre nga shqyrtimi i kaluar. Fjalën e avokatit Vllajiq e mbështeti edhe i akuzuari Arsiq.
Në radhën e dhënies së mbrojtjes, Arsiq deklaroi se mbetet në tërësi pranë tri deklarimeve të dhëna, në Polici, Prokurori dhe Gjykatë.
Seanca vazhdoi me dhënien e fjalës përfundimtare, ku prokurori Dema ndër të tjera tha se sipas udhëzimeve të Apelit, në këtë rigjykim nuk jemi për faktin se rastet nuk kanë ndodhë, por për shkak të identifikimit apo deklarimit të disa dëshmitarëve.
“Jemi në rigjykim apo në përfundim të një rigjykimi për të cilin sipas udhëzimeve të Apelit është dashur të mblidhemi përseri në këtë sallë, jo për arsye të faktit se rastet nuk kanë ndodhur, jo për arsye se këtu prezent Artani është maltretuar në mënyrë çnjerëzore, janë djegur prona dhe shtëpi të qytetarëve, është vrarë B.Sh.,- pra jo ashtu siç paraqitet gjendja në përshkrimin faktik të akuzës, nuk është kthyer për këtë çështje, Por, për atë që të gjithë e kemi parë të cilës unë si prokuror kam tentuar t’i përmbahem në plotni, pra sa i përket identifikimit apo deklarimit të disa dëshmitarëve, tha prokurori Dema.
Lidhur me aktakuzën, prokurori Dema theksoi se është vërtetuar në tërësi në raport më përgjegjësinë e të akuzuarit dhe të bashkëkryerësve të cilët për momentin janë të paarritshëm për prokurorin e shtetit.
Ndërsa, për të akuzuarin Arsiq i propozoi gjykatës që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Krasniqi deklaroi se edhe në këtë rigjykim është eliminuar çdo paqartësi, ndërsa për të dëmtuarin Artan Krasniqi deklaroi se deri më tani ka mbi 30 orë dëshmi konsistente në polici, prokurori dhe gjykatë.
Fjalën e përfaqësuesit të tij e mbështeti edhe i dëmtuari.
Kurse, avokati Vllajiq në fjalën përfundimtare deklaroi se qëndon pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, duke theksuar se në këtë gjykim nuk ka palë të dëmtuar.
Në elaborimin e fjalës përfundimtare, avokati Vllajiq u shpreh se për viktimën B.Sh., nuk e dinë nese ka vdekur nga plumbi.
Lidhur me këtë dekalrim të avokatit, prokurori Dema theksoi se ekziston raporti i ADN-së për viktimën B.Sh.
Në fund, i akuzuari Arsiq deklaroi se ai nuk është personi i cili akuzohet nga i dëmtuari.
“Unë nuk jam ai person për të cilin Artani më akuzon. Unë nuk jam ai person dhe nuk kam qenë asnjëherë në Kolovicë”, tha i akuzuari Arsiq.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.
Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këtë, Arsiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
