Prishtinë, 11 shkurt 2026 11:06
Qendra për Studime Universitare (QSU) ka realizuar me sukses një ushtrim fushor intensiv 36-orësh, gjatë të cilit kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës zhvilluan trajnim praktik në operacione mbrojtëse, duke demonstruar nivel të lartë profesionalizmi dhe gatishmërie operative.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar lart këtë aktivitet, duke theksuar se ushtrime të tilla janë dëshmi e qartë e seriozitetit dhe përkushtimit të FSK-së në ndërtimin e kapaciteteve profesionale.
“Ky ushtrim fushor tregon qartë standardin e lartë të trajnimit dhe disiplinës së kadetëve tanë. QSU po dëshmon se është një institucion i përkushtuar në përgatitjen cilësore të kuadrove të ardhshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës,” ka deklaruar Maqedonci.
Gjatë ushtrimit, kadetët u angazhuan në një sërë detyrash operative, përfshirë fortifikimin e pozicioneve mbrojtëse, operacione zbulimi dhe mbrojtjen e zonës, duke vënë në praktikë njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve.
Një dimension i veçantë i këtij ushtrimi ishte edhe pjesëmarrja e tre kadetëve nga Kolegji Mbretëror “Saint-Jean” i Kanadasë, të cilët po ndjekin studimet në QSU për një semestër. Sipas ministrit Maqedonci, kjo bashkëpunim ndërkombëtar është dëshmi e besimit dhe respektit që institucionet partnere kanë ndaj FSK-së dhe sistemit të saj arsimor ushtarak.
“Pjesëmarrja e kadetëve nga Kanadaja flet për hapjen, profesionalizmin dhe ndërkombëtarizimin e QSU-së dhe FSK-së. Këto bashkëpunime e forcojnë më tej ushtrinë tonë dhe e rrisin ndërveprueshmërinë me partnerët strategjikë,” ka shtuar ai.
Ky aktivitet, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ka shërbyer për rritjen e gatishmërisë profesionale dhe përmirësimin e aftësive taktike të kadetëve, duke konfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të QSU-së dhe FSK-së për standarde të larta trajnimi dhe profesionalizmi në shërbim të sigurisë së vendit.

Studentët marshojnë sot në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales
Policia thotë se masat në trafik kanë të bëjnë me vozitjet e rrezikshme dhe jo me flamujt e UÇK-së
Protestohet në Vjenë kundër dënimit të katërshes së UÇK-së
Kosova pranohet në sistemin ATA Carnet, OEK: Mundësi të reja për bizneset
27 vite në pritje të së vërtetës, familja merr konfirmimin për Idriz Rrecajn
Kurti: Ruajtja e gjuhës shqipe, përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm
Kryeministri Kurti kërkon strategji shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së