Prishtinë 21 janar 2026 15:34
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt i akuzuar për krime lufte në Izbicë më 1999, është dëgjuar dëshmitarja e Prokurorisë, Xhevrie Thaçi, e cila tregoi se si ishin dëbuar prej shtëpive të tyre nga forcat serbe dhe duke e goditur me shqelma e pyesnin ku e ka burrin.
Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitarja Thaçi, dëshminë e saj e nisi duke rrëfyer për përjetimet e mëngjesit të 28 marsit 1999, ku tha se forcat serbe i kishin nxjerrë nga shtëpitë në Izbicë dhe i kishin vendosur në një arë.
“Në mëngjes, ora saktë a ka qenë 07:00 apo më vonë nuk e di, na kanë qitë në një arë, aty kanë ardhë forcat serbe, kemi qenë popullatë e madhe aty. Unë i kam pas dy fëmijë me vete- djali pesë vjeç, ndërsa vajza tre vjeçe edhe kunata-motra e burrit”, tha dëshmitarja.
Aty sipas dëshmitares, një grup nga forcat serbe ishin nisur në drejtim të tyre, ku njëri nga ata e kishte pyetur se ku ndodhej burri i saj.
“Ata kanë ardhë në drejtim nga ne, një pjesë e tyre, edhe ata na kanë maltretu duke na goditur këmbëve me shqelma dhe flisnin shqip, mua më ka pyetur ku e ke burrin dhe unë nuk jam përgjigjiur sepse fëmijët janë frikësu dhe më vonë ju thash se burrin e kam në Zvicër. Ata kuptonin gjuhën shqipe dhe njëri prej tyre me ka thënë po rren, në gjuhën shqipe. Ai që fliste shqip më ka thënë po rren se nuk e ki burrin në Zvicër, e ki në UÇK, i cili është në mal”, tha dëshmitarja Thaçi.
Ndërsa, e pyetur se si dukeshin ai grup personash që i maltretuan atë ditë, dëshmitarja Thaçi, para trupit gjykues e përshkroi dukjen e tyre, duke iu referuar atij personi që fliste shqip në mesin e tyre.
“Personi që fliste shqip ka qenë me uniformë, ka pasë disa ngjyra në fytyrë dhe një shami të kuqe në kokë dhe një kapele të thjeshtë, jo të policisë. Uniforma s’ka qenë si e ushtrisë, por ka qenë si këta që kanë ba masakra- paramilitarë. Ai ka qenë prijës i grupit”, tha Thaçi.
Edhe më tutje, në deklarimin e saj, dëshmitarja foli për përjetimet gjatë luftës në Kosovë, ndër të cilat përmendi momentin kur ishte ndarë nga fëmijët e saj të vegjël për tre muaj.
“Pas katër dite kur kemi shku në Gjakovë m’i kanë nda fëmijët, ne shkuam në Shqipëri, fëmijët më mbetën në Kosovë, vëllaun në burg dhe burrin në mal, tre muaj ditë, unë nuk kam ditur asgjë për fëmijët e mi”, tha dëshmitarja.
