Prishtinë 20 janar 2026 13:15
Dy njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes, ka thënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ai këtë e ka bërë të ditur pas një takimi që ka zhvilluar me menaxhmentin e KEK-ut mbrëmë, ndërsa që në operim janë tri njësi (B1, A4 dhe A5) të Korporatës Energjetike të Kosovës ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, 24 orë pandalur, për t’i rikthyer sa më shpejt në operim edhe njësitë B2 dhe A3.
“Nga KEK-u presim që gjatë kësaj periudhe të ftohtë kur kërkesa është e lartë, të punojë me 5 blloqe. Ndonëse kjo është sfiduese, TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori deri më sot, për çfarë i jemi falënderues secilit punëtor e menaxher, që janë shtylla e sistemit tonë elektroenergjetik. Për krahasim, për 25 vitet e kaluara KEK ka punuar me 5 njësi vetëm 55 ditë në total. Nga menaxhmenti dhe nga çdo punonjës i KEK-ut pres angazhim dhe përgjegjësi maksimale për t’i sjellë të gjitha njësitë në operim dhe për t’i mbajtur në operim gjatë këtyre muajve të ftohtë”, ka shkruar ajo.
Ndërsa të hënën ka publikuar një video ku shihen punëtorët e KEK-ut duke punuar dhe ka bërë thirrje për kursim të energjisë.
KOSTT ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike gjatë ditës për shkak të kërkesës së madhe me furnizim me energji elektrike.
Ndërsa nga KESCO kanë thënë se në mungesë të prodhimit vendor dhe mundësive të kufizuara të importit situata është vështirësuar.
