Prishtinë 20 janar 2026 12:29

Me rreth 60 shtete pjesëmarrëse, të përfaqësuara nga ministra, zv.ministra, sekretarë shtetërorë dhe liderë të rëndësishëm globalë të sektorit të bujqësisë, Republika e Kosovës mori pjesë në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi, që u mbajt në Berlin, Gjermani.

Kështu ka njoftuar ministri në detyrë, Imri Delemezi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai theksoi gjithashtu se, gjatë këtij forumi, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Regjional dhe Rural të Evropës Juglindore, për herë të parë, Republika e Kosovës udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të këtij rajoni, duke vërtetuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv dhe të çmuar në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.

“Si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë adresimeve të mija theksova se Republika e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern dhe të qëndrueshëm e në përputhje me nevojat e shoqërisë sonë”, u shpreh Delemezi.

Tutje ai the se për tri ditë intensive, bashkë me delegacionin nga MBPZhR zhvilluam dhjetëra takime bilaterale dhe në margjinat e konferencës me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, si dhe Bankën Botërore, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Në fokus ishin investimet në siguri ushqimore, ujitje dhe infrastrukturë, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtjen nga reshjet atmosferike, digjitalizimi i bujqësisë, resurset njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian.

“Edhe njëherë Republika e Kosovës konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.Republika e Kosovës falënderon shtetet mike, përfshirë Gjermaninë, që përmes GFFA-së mundëson vlerësimin pozitiv dhe promovimin e Kosovës përmes dhe gjatë konferencave të tilla”, u shpreh tutje.

Edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovës thuhet se Kosova u përfaqësua nga Ministri në largim Imri Delemezi dhe u takua me Ministrin Federal Gjerman të Bujqësisë, Ushqimit dhe Komunitetit, Alois Rainer.

Sipas njoftimit thuhet se takimi u përqendrua në: Përputhjen me BE-në Acquis, plane konkrete veprimi për bujqësi dhe pylltari të qëndrueshme, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik.

By US5