Prishtinë 07 janar 08:51
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 57 ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, por ky numër nuk është i mjaftueshëm për ta konstituuar e vetme Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë e re, pasi për këto procedura nevojiten së paku 61 vota.
Megjithatë, kjo pengesë pritet të tejkalohet pa nevojë për koalicion paraprak me partitë shqiptare, pasi deputetë nga komunitetet serbe dhe joserbe kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me kryeministrin Albin Kurti.
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, i cili sipas rezultateve ka siguruar një mandat deputeti, ka deklaruar se është i gatshëm ta votojë formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Ai ka theksuar se paraprakisht kërkon një takim me Kurtin për sqarimin e disa çështjeve.
“Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik. Kam përvoja të mira bashkëpunimi me zotin Kurti. Ende nuk kemi biseduar konkretisht, por jam i sigurt se në ditët në vijim do të takohemi. Jam i gatshëm për bashkëpunim. Nuk kemi kushte për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por kemi disa kërkesa për përmirësime teknike në interes të qytetarëve serbë. Kushtetuta parasheh që një ministri të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt vazhdimit të bashkëpunimit”, ka deklaruar Rashiq.
Ndërkohë, nga komunitetet tjera, përfaqësuesit e romëve dhe ashkalinjve janë në pritje të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate të Ashkalinjëve, Artan Asllani, i cili ka siguruar mandat deputeti, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kurtin për formimin e institucioneve.
“Po, do të jemi pro konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe të japim kontributin tonë. Ende nuk kemi zhvilluar takim, pasi KQZ-ja është në proces të numërimit të votave”, ka deklaruar Asllani për RTV21.
Gatishmëri për bashkëpunim ka shprehur edhe përfaqësuesi i komunitetit rom, Alber Kinolli. Sipas tij, nga grupi multietnik pritet që së paku 8 nga 10 deputetë ta votojnë formimin e Qeverisë së re.
“Nëse fitojmë mandat dhe bëhemi pjesë e Kuvendit, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do të luajë rol konstruktiv dhe do ta japë votën për formimin e Qeverisë. Shpresoj që minimumi të jenë tetë deputetë, por shpresoj që në të ardhmen të reflektojë edhe ndonjëri nga tre deputetët që deri tani nuk kanë dhënë votë pro Qeverisë”, ka thënë Kinolli.
Ndërkohë, përfaqësuesja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, si dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, të cilët kanë siguruar mandate në Kuvend, ende nuk kanë bërë të ditur nëse kanë ndryshuar qëndrimin e tyre, pasi më herët ishin shprehur kundër formimit të Qeverisë nga Kurti.
Sipas kalkulimeve të deritanishme dhe deklarimeve publike të përfaqësuesve të komuniteteve serbe dhe joserbe, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i sigurojë rreth 65 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit