Prishtinë, 25 dhjetor 2025 21:53
Presionet e vazhdueshme të strukturave të Listës Serbe kanë detyruar dy kandidatët e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të tërhiqen nga gara për Parlamentin e Kosovës.
Ky zhvillim nxjerr në pah ndikimin e jashtëligjshëm dhe ndërhyrjen e strukturave serbe në procesin zgjedhor, duke dëmtuar qartë lirinë e kandidatëve për të vepruar sipas vullnetit të tyre.
Të dy kandidatët kanë qëndruar javën e kaluar në Serbi, ku, sipas burimeve jozyrtare, kanë pasur kontakte me disa përfaqësues të Listës Serbe.
Vizita e tyre, që dikur mund të shihej si një mundësi për dialog, duket se ka ndryshuar rrjedhën e situatës, duke u kthyer në një presion të dukshëm që ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin për të tërhequr kandidaturën.
Nikolçeviç, sipas informacioneve, ka komunikuar me Aleksandër Jabllanoviçin nga Leposaviqi, i cili ka shërbyer si lidhje mes tij dhe strukturave të Listës Serbe. Anëtarët e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë përballen prej vitesh me presione nga autoritetet serbe.
Gjatë kalimit në territorin e Serbisë, ata shpesh qëndrojnë mbi pesë orë në kontrolle dhe verifikime, duke treguar qartë se këto vizita nuk janë thjesht formale, por pjesë e një mekanizmi intimidimi. Gordana Mijailoviç, njëra nga dy kandidatët e tërhequr, nuk e ka fshehur mbështetjen ndaj Aleksandar Vuçiqit. Këtë e ka bërë të ditur për mediat ajo vetë.
Mësohet se bashkëshorti i saj ka pasur lidhje me Milan Radojiçiqin dhe zotëron disa biznese në Mitrovicën e Veriut. Disa raportime flasin se ai ka qenë në paraburgim për kontrabandë.
Lidhur me këto zhvillime, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka bërë një deklaratë, ku thuhet se veprimi i dy anëtarëve për t’u tërhequr nga partia nuk e ka dëmtuar aspak subjektin politik, por, siç thuhet në reagim: “Na keni ndihmuar t’i përforcojmë radhët tona.”
“Ju që mendoni se na keni dobësuar vetëm sepse një kandidat ynë është tërhequr, duhet t’ju tregojmë se këtë gjë e kemi ditur. Me këtë veprim nuk na keni dëmtuar, por na keni ndihmuar t’i përforcojmë radhët tona. Sot jemi më të fuqishëm nga sa keni menduar,” thuhet në reagimin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Nenad Rashiq ka bërë të ditur se disponon regjistrime audio të bisedave me të dy kandidatët, por nuk i ka bërë publike për momentin. Partia pritet të nxjerrë së shpejti një komunikatë zyrtare, që do të sqarojë më tej situatën dhe do të tregojë hapat e ardhshëm, duke denoncuar presionin e vazhdueshëm të Listës Serbe mbi procesin zgjedhor dhe mbi kundërshtarët e saj politik.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit