Prishtinë 23 Dhjetor 2025 08:09
Nënshkrimi i Aktit të Mbrojtjes nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer Kosovën në fokusin e debatit politik në Uashington. Përfshirja e Kosovës në këtë dokument si dhe riafirmimi i njohjes reciproke si bazë për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë e kundërshtimi i ndarjeve territoriale mbi baza etnike, janë interpretuar si sinjal pozitiv për vijimësinë e mbështetjes amerikane.
Megjithatë, sipas ekspertit amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, kjo gjuhë duhet lexuar me shumë kujdes.
Sipas Serwerit, përfshirja e këtyre formulimeve nuk është domosdoshmërisht shprehje e një konsensusi të fortë politik në SHBA, por më tepër një reagim ndaj përpjekjeve intensive të lobistëve që synojnë ndryshimin e politikës tradicionale amerikane ndaj Kosovës.
“Ndërsa më pëlqen gjuha që Kongresi ka miratuar, do të ishte gabim të interpretohej ajo si një shenjë pa mëdyshje pozitive. Arsyeja pse kjo gjuhë është përfshirë është se lobistët po punojnë intensivisht për të përmbysur politikën tradicionale të SHBA-së, e cila favorizon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Kjo është një përpjekje për t’i bllokuar lobistët dhe do të funksionojë deri në një pikë. Por Presidenti ka autoritet pothuajse 100 për qind në politikën e jashtme dhe Trump i konsideron të bezdisshme kufizimet e tilla. Nuk mund t’ju premtoj se ai do ta respektojë gjuhën e parashikuar në ligj”, ka thënë Serwer.Ai ka vlerësuar se Kongresi ka tentuar të vendosë një lloj “frenimi” ndaj ideve që bien ndesh me parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, por ka paralajmëruar se kjo mbrojtje është e kufizuar.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Serwer ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë ta ketë si objektiv kryesor njohjen reciproke, por ai ka shprehur skepticizëm se ky ligj e bën këtë qëllim më të arritshëm sesa më parë.
Edhe në lidhje me perspektivën euroatlantike, Serwer është shprehur i rezervuar. Ai ka vënë në dukje se administrata Trump ka treguar qëndrim armiqësor ndaj Bashkimit Evropian dhe nuk ka qenë përkrahëse e zgjerimit të NATO-s, çka e bën të paqartë mbështetjen reale për anëtarësimin e Kosovës në këto struktura.
“Kosova duhet gjithmonë të synojë njohjen e ndërsjellë. Por nuk kam asnjë arsye të besoj se kjo është më e mundshme sot sesa para se të nënshkruhej ligji. Po ashtu, nuk kam asnjë arsye të besoj se Administrata do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në BE apo në NATO. Strategjia e sigurisë kombëtare e Presidentit është armiqësore ndaj BE-së. Ai nuk ka qenë përkrahës i zgjerimit të NATO-s. Pika kryesore këtu është bllokimi ose ngadalësimi i ndryshimeve në politikën amerikane që mund të jenë të dëmshme për Kosovën. Ka njerëz që po shtyjnë për këto ndryshime. Bllokimi i tyre kërkon vigjilencë të vazhdueshme”, ka potencuar ai.Sipas Serwerit, beteja kryesore zhvillohet në prapaskenë, mes lobimeve dhe interesave të ndryshme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme nga institucionet dhe diplomacia kosovare për të mbrojtur interesat e vendit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar të enjten e shkuar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, në të cilin është përfshirë edhe Kosova. Dokumenti mbi 3 mijë faqesh thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon.
Një seksion i veçantë i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët inkurajohen për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit e arritur më 27 shkurt 2023, tek përjashtohet ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan.
Pasi të jetë shënuar përparim në dialog, SHBA-ja ka listuar veprimet që mund t’i ndërmarrë, ku përfshihet angazhimi për marrëveshje e cila ka njohjen reciproke në qendër, si dhe vendosjen e dialogut strategjik nga ana e Uashingtonit me Kosovën e Serbinë.
Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit