Obiliq, 19 dhjetor 2025 17:05
Projekti inovativ Green Corridor është pjesë e një procesi të gjerë të zhvilluar ndërmjet UNDP-së dhe Komunës së Obiliqit, përmes bashkëpunimit të ngushtë me stafin teknik komunal dhe akterë lokalë.
Në kuadër të këtij procesi janë identifikuar një portofol ndërhyrjesh të ndërlidhura të transicionit të dyfishtë, që kombinojnë zgjidhje të bazuara në natyrë, teknologji të gjelbra dhe mjete digjitale, të planifikuara për zbatim gjatë periudhës 2026–2027.
Përmes City Experiment Fund të UNDP-së, është vendosur një partneritet strategjik me Komunën e Obiliqit për adresimin e ndotjes së ajrit si një sfidë komplekse urbane.
Green Corridor shërben si një ndërhyrje demonstruese, që mbështet komunën në projektimin, testimin dhe përmirësimin e zgjidhjeve të integruara, me potencial për shkallëzim dhe replikim në zona të tjera të qytetit.
Në këtë event ishte prezent edhe kryetari i komunës, Halil Thaçi, i cili theksoi rëndësinë e përmirësimit të kualitetit të ajrit dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
“Faleminderit të gjithëve që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet dhe e kanë bërë realitet ëndrrën e qytetarëve të Komunës së Obiliqit për një ambient më të pastër. I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare që të na ndihmojnë ta bëjmë një ajër sa më të pastër për qytetarët e Komunës së Obiliqit. Dudley po na ndihmon me këta drurë për ambientin tonë. Unë dua ta shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të komunës sonë që ta mbrojnë ambientin. Drunjtë që po i mbjellim dhe pres që në vitin 2026 ta shpallim qytetarin ambientalistin më të mirë nga Komuna e Obiliqit, i cili do ta ketë shpërblimin nga ana e komunës. Është projekt apo donacion nga UNDP dhe Ministria e Financave e shtetit të Sllovakisë”, tha Thaçi.
Dudley Tarlton, zëvendës përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, e ka quajtur të rëndësishëm projektin “Green Corridor”.
“Gëzohem që jam sot këtu, sidomos duke e marrë parasysh që e kemi edhe një grup të rinjsh, përfshirë edhe angazhimin e komuniteteve lokale, por edhe të rinjve. Po ashtu, zotimi i kryetarit të komunës ka qenë kyç për këtë aktivitet. Falënderimet nga ana jonë edhe për Qeverinë Sllovake për këtë përkrahje. Duke e marrë parasysh që unë edhe punën paraprake e kam pasur në sektorin e shëndetësisë, vlen të përmendet që vetë të jesh afër drurëve është e shëndetshme dhe mezi pres ta shoh Obiliqin të bëhet i famshëm për projekte të gjelbra. Projekti ynë merret edhe me eksperimentime të tilla, prandaj projekte të tilla dëshirojmë t’i shohim edhe në lokalitete të tjera”, tha Tarlton.
