Prishtinë, 08 dhjetor 2025 19:39
Kampi Pyjor 2025 ka nisur sot edicionin e radhës, me misionin të afrojë të rinjtë me natyrën dhe t’i angazhojë ata në njohjen e vlerave të pyjeve, biodiversitetit dhe rëndësisë së menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Kampi po mbahet në Blinajë dhe përfshin nxënës të shkollave të mesme, mësimdhënës, përfaqësues nga institucionet e pylltarisë dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë.
Kampi organizohet në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve”, që synon përmirësimin e jetesës në zonat rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë.
Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, ndërsa zbatohet nga FAO – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi.
Gjatë ceremonisë hapëse, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare theksuan rëndësinë e edukimit të brezave të rinj për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve.
Fidan Dema, ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, u shpreh se kampi u ofron të rinjve hapësirë për të kuptuar vlerat e ekosistemeve dhe mundësitë profesionale që lidhen me pyjet.
“Kosovës i duhet dije, përgjegjësi dhe të rinj që e shohin pyllin si potencial dhe jo vetëm si sipërfaqe,” theksoi ai.
Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, foli për përgjegjësinë e brezave të sotëm.
“Qëllimi është të ngrihet ndërgjegjësimi që pyjet duhet të ruhen dhe të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme – kjo është e vetmja rrugë për menaxhim të mirëfilltë,” tha ai.
Nga Zyra e BE-së në Kosovë, Vadim Stirbu vuri në pah rolin e dy resurseve më të rëndësishme të vendit: të rinjtë dhe pyjet.
“Këtu i kemi dy pasuritë më të çmuara të Kosovës: ju të rinjtë dhe pyjet që mbulojnë 45% të territorit,” theksoi ai.
Ndërsa Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-s, i inkurajoi nxënësit të shohin veten si ambasadorë të natyrës.
“Çdo hap që bëni dhe çdo fidan që mbillni është investim për të ardhmen e Kosovës. E ardhmja e pyjeve është në duart e atyre që sot mësojnë dhe ëndërrojnë,” tha ai.
Gjatë kampit, nxënës nga Prishtina dhe Lipjani eksploruan tema të ndryshme që lidhen me pyjet, rolin e tyre ekologjik dhe ndikimin në klimë. Ekspertët udhëhoqën aktivitete praktike, shëtitje në pyll, vëzhgim të faunës së egër dhe ushtrime kreative që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e biodiversitetit.
Pjesëmarrësit u njohën nga afër me tipologjinë e pyjeve të Blinajës, prerjet, llojet drunore dhe mundësitë që ofron profesioni i pylltarisë.
Kampi pritet të mbyllet nesër me ceremoninë e ndarjes së certifikatave për të rinjtë pjesëmarrës.

Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës