Prishtinë, 07 dhjetor 2025 12:04
Serbia për vitin 2026 ka në fokus rritjen e kapaciteteve teknologjike dhe forcimin e infrastrukturës operative për Agjencinë e saj të Inteligjencës (BIA). Sipas dokumenteve zyrtare të projekt-buxhetit të Serbisë, BIA pritet të disponojë afro 89 milionë euro, një shumë dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e fundit.
Kjo ngritje buxhetore vjen në kohën kur në Kosovë është shënuar rritje e ndjeshme e arrestimeve për spiunazh në favor të Serbisë gjatë tre vjetëve të fundit.
Sipas drejtorit të institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, kjo rritje financiare e Serbisë ndaj BIA-s bart mesazhe të qarta për synimet e Beogradit kundër Kosovës.
Fetoshi për KosovaPress ka thënë se kjo qasje e Serbisë përfaqëson intensifikim të aktiviteteve hibride, duke pasur parasysh aktivitetet që lidhen jo vetëm me veriun e vendit, por edhe me përdorimin e rrjetit të spiunazhit brenda vendit.
“Fatkeqësisht, investim më i madh në aktivitetet hibride, jo vetëm kundrejt Kosovës, por një agjendë më e ngjeshur e Serbisë, në kuadër të politikës së tyre hegjemoniste për botën serbe. Natyrisht në veçanti ndaj Kosovës, duke pasur parasysh të gjitha aktivitetet që lidhen jo vetëm me veriun e vendit, por edhe me përdorimin gjithnjë e më agresiv të rrjetit të spiunazhit brenda Kosovës, në kuadër të qëllimeve të Serbisë për ta mbajtur gjendjen jo-stabile dhe për të nxitur në vazhdimësi tensione ndëretnike, duke instrumentalizuar komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Fetoshi.
Ai ka theksuar se Serbia po përballet me sfida më të mëdha si rezultat i punës së institucioneve të sigurisë së Kosovës.
“Kohëve të fundit Serbia është ballafaquar me një sukses gjithnjë më të madh të institucioneve të sigurisë në Kosovë, në neutralizimin e kërcënimeve që paraqet rrjeti si i spiunazhit dhe aktivitetet e tjera hibride kundër Kosovës. Në këtë kuadër, Agjencia Kosovare për Inteligjencë ka bërë një punë jashtëzakonisht efektive dhe mesa duket po vazhdon, ndonëse është komplekse, sfiduese detektimi dhe neutralizimi i bashkëpunëtorëve të BIA-s dhe në përgjithësi agjendës armiqësore. Kemi të bëjmë gjithashtu me një kundër reagim ndaj institucioneve të Serbisë, me qëllim që të shtojnë aktivitetet e tyre, të rrisin çmimin dhe të përdorin mjetet financiare për operacione më efektive kundër Kosovës”, ka thënë ai.
Drejtori i “Octopus”, ka theksuar se Kosova mbetet e ekspozuar ndaj kërcënimeve hibride dhe nevojitet forcim i kapaciteteve të sigurisë. Sipas tij, institucionet e sigurisë, në veçanti AKI-ja duhet të rrisin kapacitetet sa i përket fondeve shtesë që t’i kundërpërgjigjet në mënyrë efektive kërcënimeve që vijnë nga Serbia.
Fetoshi shtoi se Kosova duhet të ndërmerr masa urgjente edhe në fushën e sigurisë kibernetike.
Kujtojmë, përgjatë këtij viti Gjykata Themelore, shpalli të dënuarin e parë për spiunazh, Aleksandar Vllajiq dhe ka ngritur katër aktakuza të tjera për të njëjtën vepër.

Joseph: Serbia, Rusia dhe Kina do të përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën
Kandiqi i reagon Daçiqit: Politika jote rezultoi me varreza masive t`shqiptarëve
Kurti emëron 27 zëvendësministra
Seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit
Kurti thirrje liderëve politikë: Ta zgjidhim çështjen e presidentit
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit