Prishtinë, 05 dhjetor 2025 06:54
Seancat inauguruese në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës do të mbahen sot, duke filluar nga ora 11:00. Këto seanca shënojnë fillimin e mandatit të kryetarëve të rinj në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konfirmuar se inaugurimet do të zhvillohen në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Procedurat ligjore dhe administrative të kalimit të pushtetit në komunat veriore nuk dallojnë nga ato të komunave tjera në vend, pasi të gjitha institucionet komunale janë të obliguara të respektojnë të njëjtat rregulla për vetëqeverisjen lokale.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka theksuar për RTKlive se MAPL ka përgatitur të gjitha ftesat zyrtare për seancat inauguruese duke respektuar në tërësi afatet ligjore, simbolet shtetërore dhe simbolet komunale, si dhe rregullat për dy-gjuhësinë zyrtare.
Sipas tij, ceremonitë inauguruese pritet të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara me ligj, duke përfshirë përdorimin korrekt të elementeve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Ai ka nënvizuar se në komunat veriore inaugurimi do të zhvillohet pa asnjë përjashtim sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, përfshirë respektimin e simboleve shtetërore dhe dy-gjuhësisë zyrtare.
“Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë të obliguara të respektojnë Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisjen lokale gjatë procesit të inaugurimit dhe kalimit të pushtetit nga kryetarët aktualë te kryetarët e rinj”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë të ditur se MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.
“Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Të premten, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan do t’ua dorëzojnë detyrën kryetarëve të rinj që vijnë nga Lista Serbe.

Gjashtë nxënës nga Suhareka në Finalen e Olimpiadës Botërore të Matematikës në Frankfurt
Podujeva publikon listën preliminare të bursave, 307 studentë përfitues për vitin akademik 2025/2026
Komuna e Gjilanit mbështet me nga 100 euro nënat lehona për vitin 2026
Peci: Objekti i komunës nga tani me ashensor për personat me nevoja të veçanta
Mitrovicë: Inspekcioni komunal ndalon ndërtimet në 5 lokacione
Ish-kryetarët e komunave veriore të pakënaqur me qeverisjen aktuale, ankohen për pezullim të shërbimeve
Vitin e shkuar u ngritën 15 aktakuza për krime lufte, 10 prej tyre në mungesë
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë
Kosova përmirëson renditjen në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, pas vendimit të Kushtetueses për ligjin e KPM-së
KQZ-ja kërkon 7 qershorin si datë të zgjedhjeve, Haxhiu pret sot në takim përfaqësuesit e partive