Prishtinë, 29 nëntor 2025 12:38
Kryetari i partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, ka deklaruar se kthimi i tij në Kosovë dhe paraqitja në seancën inauguruese për betimin si asamblist në Mitrovicën e Veriut nuk do të ndodhë pa garanci të plota se nuk do të arrestohet.
Arsenijeviqi kërkohet nga autoritetet e Kosovës pasi në një objekt të tij në fshatin Vallaq të Zveçanit u gjet armatim.
Ai e quan mandatin e tij legjitim dhe thotë se nuk do të pranojë “role të inskenuara” që sipas tij mund të shfrytëzohen për qëllime politike.
Arsenijeviq ka theksuar se mandatin e ka marrë me votat e qytetarëve dhe se “as afatet artificiale, e as presionet” nuk mund ta kontestojnë atë. Ai deklaron se prania e tij në Kosovë mund të garantohet vetëm pasi të sigurohet “elementarja – siguria fizike”.
“Nuk do të pranoj role të imponuara që të arrestohem për spektakël televiziv. Detyra ime është të përfaqësoj qytetarët, jo të shërbej si mjet për mesazhe politike”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN të premten, duke shtuar se pret që institucionet të krijojnë kushte ku askush nuk detyrohet të zgjedhë mes mandatit, sigurisë personale dhe lirisë.
Arsenijeviqi ka bërë të ditur se avokati i tij është në komunikim të vazhdueshëm me organet kompetente dhe se ai nuk kërkon privilegje, por vetëm respektim të ligjit dhe garanci se mund të paraqitet në seancë pa kërcënime, provokime apo politizim të procedurës.
Në qershor të këtij viti, Policia e Kosovës kishte kryer një aksion në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku në një pronë të Arsenijeviqit u sekuestruan armë, municion, granata dore dhe zolla. Arsenijeviq e pati pranuar pronësinë e objektit, por kishte thënë se nuk është vendbanim i tij i përhershëm dhe se bëhet fjalë për një stallë ku mban kafshë, duke shtuar se objekti “është gjithmonë i hapur dhe i qasshëm për këdo”. Që atëherë, ai nuk është paraqitur para organeve të drejtësisë në Kosovë.
Në rast se Arsenijeviq nuk betohet si asamblist një muaj pas certifikimit të rezultateve, e humb mandatin.
Certifikimi i rezultateve për kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut u bë më 21 nëntor nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve. Seanca inauguruese do të mbahet më 5 dhjetor.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë