Prishtinë, 7 nëntor 2025
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar të premten zonën kufitare ku dyshohet se është rrëmbyer serbi Milan Vukashinoviq, duke deklaruar se shtetasi i Kosovës është kidnapuar nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe dhe shtoi se në momentin e parë, autorët do të dalin para përgjegjësisë.
“Sot inspektova pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se u kidnapua shtetasi ynë, Milan Vukashinoviq. Në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet tona, tashmë është e ditur se, duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial të Republikës së Kosovës, z. Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai njoftoi se Vukashinoviq po trajtohet në spitalin e Nishit në Serbi, pas plagëve të marra gjatë rrëmbimit, ndërsa theksoi se atij po i mohohet mbrojtja ligjore.
“Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve, por edhe si shtet antidemokratik, pasi z. Vukashinoviq ende nuk po gëzon të drejtat themelore që garantohen edhe në regjimet më autoritare”, shtoi ai.
Sveçla u shpreh se institucionet e Kosovës po zhvillojnë hetime intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve.
“Në momentin e parë, ata do të dalin para përgjegjësisë. Do të merren të gjitha masat për t’u kundërvënë sjelljeve kriminale e destruktive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës”, u shpreh ministri në detyrë.
Ai gjithashtu u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj veprimeve të Beogradit.
“Apeloj tek bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presionin dhe të ndërmarrë masa ndaj shtetit serb, në mënyrë që të ndëshkojë këtë sjellje destabilizuese dhe të parandalojë situata të tjera që mund të nxisin tensione në rajon”, ka shkruar tutje Sveçla.
Në Polici njoftuan të hënën se më 1 nëntor, një serb i Kosovës është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, nga xhandarmeria serbe. Në KFOR theksuan se janë në dijeni të raporteve teksa situatën e sigurisë në kufirin me Serbinë e kualifikuan si të qetë.

Kamberi: Diskursi i Vuçiqit nuk dallon nga ai i Millosheviqit
Biserko: Zbulimi i varrezave të reja masive hap çështjen e përgjegjësisë së Serbisë për krimet në Kosovë
Haxhiu: Dyshimet për varrezën e dytë masive rikujtojnë krimet e luftës në Kosovë
Komisioni për të Zhdukurit: Dyshimet e lidhin varrezën në Kalludër me 23 intelektualët e Mitrovicës
Prokuroria Speciale: Dyshohet për mbetje mortore në Jabukë të Zubin Potokut
Nga jeta në zhdukje – rrëfimi për 23 civilët e vrarë dhe groposur fshehtas
Hapja e konsullatës serbe në Shkodër, banorët në protestë: I kemi të freskëta plagët, kemi vuajtur shumë
Asllani drejt Premier Ligës, kërkohet nga Hull City