Prishtinë 05 Nëntor 2025
(E plotësuar) Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar ‘Raportin për Vendin 2025 nga Komisioni Evropian’. Ai tha se raporti në fjalë vlerëson zhvillimet në të gjithë sektorët e shtetit. Sipas tij, edhe pse qeveri në detyrë, raporti konstaton se janë kryer detyrat me sukses.
Duke falënderuar BE dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për bashkëpunimin në agjendën e përbashkët drejt agjendës evropiane, Kurti tha se integrimi në BE mbete prioritet edhe vleror edhe strategjik i vendit.
Kurti tha se edhe si qeveri në detyrë, Kosova ka realizuar detyrat me sukses, duke regjistruar progres në 35 fusha dhe ngecje vetëm në tri.
“Raporti i sivjetmë është pozitiv, pothuajse, në të gjitha fushat dhe ofron rekomandime të qarta aty ku ka ngecje. Ai pasqyron punën e qeverisë dhe progresin tonë të përbashkët shoqëror. Në këtë vit, sikurse gjatë gjithë mandatit, nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm 3 fusha. Progresi varion nga i kufizuar në në të përparuar. Orientim ynë është i qartë: anëtarësimi i plotë në BE. Raporti konfirmon përkushtimin tonë dhe mbështetjen e gjerë publike për procesin e integrimit”, tha Kurti
Ai më tej shtoi se raporti vlerëson përafrimin e përbashkët të jashtëm e të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë e Bjellorusisë, si dhe dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Kurse lidhur me pyetjen për sigurimin e nënshkrimeve për mandatarin e dytë të qeverisë së re, Kurti tha se nuk është e nevojshme sigurimi i 61 nënshkrimeve. Sipas tij, tentimi i dytë për themelimin e qeverisë, përveç se është i drejtë, është edhe obligim, në mënyrë që të bëhet çmos për t’u evituar zgjedhjet e reja.
Ai shtoi se është dëm i madh nëse organizohen zgjedhje edhe në dhjetor edhe në prill.
“Prandaj ne dërguam emrin e Glauk Konjufcës për mandatar të qeverisë te presidentja e vendit, që të mos ketë dy palë zgjedhje për pak muaj, dhe përveç kësaj, po të ishte parakusht nënshkrimi i 61 deputetëve që të tentohet për herën e dytë të formohet qeveria nuk do të kishte pasur kuptim afati 15 ditor i cili ekziston për herën e dytë”, qartësoi Kurti.
Lidhur me sulmin brenda territorit të Kosovës, ku është plagosur një shtetas kosovar më përkatësi etnike serbe nga xhandarmeria serbe, Kurti tha se kjo tregon se ai qytetar është kundërshtar i politikave të regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq,
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes që prej atëherë kur ka ndodhur sulmi, ku, në asistencë me KFOR-in, po kryhen procedurat hetimore. Është e qartë që fqinji ynë verior po vazhdon me sulmet e veta që kanë për qëllim ‘disiplinimin e serbëve’ dhe, në anën tjetër, destabilizimin e Kosovës”, theksoi Kurti, teksa shtoi se këto synime të Serbisë do të dështojnë.
“Ne kërkojmë mbështetjen ndërkombëtare, por edhe dënimin e atyre që urdhërojnë dhe zbatojnë veprimet e tilla kriminale me tendencë destabilizuese”, tha Kurti.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit