Prishtinë 03 Nëntor 2025
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë njofton se, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, do të hapet Libri i ngushëllimeve në ambientet e Ambasadës.
Libri, sipas Ambasadës, do të jetë i hapur sot dhe nesër për qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve, trupin diplomatik dhe miqtë e Shqipërisë, në oraret: 10:00–12:00 dhe 14:00–16:00.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, u përcoll të dielën për në banesën e fundit, në një ceremoni shtetërore të mbushur me dhimbje, nderim dhe respekt. Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë, përfaqësues të institucioneve shtetërore e politike, trupa diplomatike, figura të besimeve fetare, si dhe personalitete të njohura nga fusha e artit, kulturës dhe medias, për të nderuar një prej arkitektëve të politikës moderne shqiptare.
Në nder të figurës së tij, Qeveria e Shqipërisë shpalli 2 nëntorin Ditë Zie Kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore u ulën në gjysmë shtizë, ndërsa në mesditë u mbajt një minutë heshtje në mbarë vendin. Të gjitha aktivitetet publike u ndërprenë për të respektuar kujtimin e ish-kryeministrit, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Arkëmorti i Fatos Nanos u përcoll me nderime nga Garda e Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni solemne të zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë. Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër u drejtua për në varrezat e Sharrës, ku trupi i tij u vendos për pushim të përjetshëm, në një ceremoni private familjare.
Fatos Nano do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si një figurë qendrore e së majtës shqiptare, themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe një burrë shteti me vizion evropian, i cili besoi te liria, shteti dhe njeriu. Ai do të kujtohet si një lider që i dha tonin modernizimit të politikës shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer politike dhe njerëzore që do të mbetet e gjallë në historinë e Shqipërisë.

Raportim 1998: Ushtarët dhe policët serbë me uniforma të UÇK-së vranë civilët shqiptarë
Nënshkruhet marrëveshja për rindërtimim e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicë, e cila u shkatërrua gjatë luftës në Kosovë
MBPZHR-ja njofton programin e pagesave për kultivuesit, këto prodhime do të subvencionohen
Përkujtohe Masakra e Studimes, kërkohet drejtësi për krimet e luftës
KQZ: Fillon aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe dorëzim të listave të kandidatëve për deputetë
Kërkohen masa të rrepta dhe ndëshkime për kompanitë e ndërtimit që s’i respektojnë rregullat për sigurinë e punëtorëve
Malisheva e mposht edhe Prishtinën si Dukagjinin, në fund të ndeshjes