Prishtinë, 27 tetor 2025
Kosova është pranuar në institucionin e parë të Bashkimit Evropian. Më 18 tetor 2025, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka vendosur ta përfshijë Kosovën në nismën e tij për shtetet kandidate për zgjerim.
Ky është një hap i rëndësishëm për institucionet e Kosovës, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët.
Më 2024, ky Komitet pranoi si anëtarë Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Që të gjitha këto shtete, në aspektin formal janë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komiteti është pjesë përbërëse e BE-së i themeluar më 1957 në bazë të Traktatit të Romës.
Përmes kësaj platforme, Komiteti ka për qëllim të këshillojë vendimmarrësit e BE-së për t’u siguruar që organizatat dhe rrjetet e shoqërisë civile në mbarë kontinentin evropian të kenë zë dhe përfaqësim sa i përket zhvillimit të Evropës.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë mekanizëm është e rëndësishme po ashtu për rëndësinë që ka sektori i shoqërisë civile përmes pjesëmarrjes aktive në politikëbërje dhe konsultime publike.
Përfshirja e Kosovës në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian merr kuptim edhe më të thellë, si nevojë për t’u rikthyer në dialog, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të forcuar rolin e partnerëve socialë.
Organizatat e shoqërisë civile që bëhen pjesë e Komitetit, veprojnë si ndërmjetës mes vendimmarrësve dhe publikut.
“Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen e publikuar në ueb-faqen e Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian.
Me këtë hap, ky Komitet shpreson të forcojë dialogun civil dhe social brenda komuniteteve në Kosovë.
Ky Komitet përbëhet nga 329 anëtarë nga 27 shtetet e BE-së, të cilët përfaqësojnë punëdhënësit, punëtorët dhe organizatat e shoqërisë civile.
Sipas njoftimit nga ky Komitet, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë janë ftuar të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor në kuadër të nismës për zgjerim.
Për shoqërinë civile, kjo nënkupton mundësi të reja për të pasur zë në proceset evropiane dhe për të kontribuuar në politikë‐bërje.
Për bizneset dhe ekonominë, ky hap mund të nxisë integrimin me rrjetet evropiane dhe burime të reja bashkëpunimi.
Pavarësisht mungesës së statusit zyrtar si kandidat për BE, është vendosur të hapet ‘faza e dytë’ e nismës edhe për Kosovën si kandidate potenciale.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit